“O Zoti Bideja”, Noka dhe deputetët e PD-së rrethojnë foltoren, s’lejojnë deputetin të mbajë fjalën, Ardit Bido: Flasin këta që kanë aksione në…

18/06/2026 13:20

Tensione në Kuvend, ku kryetari Peleshi ka ndërprerë seancën, duke dhënë 5 minuta pushim për shkak se deputetët e PS bllokuan foltoren dhe nuk lejuan që deputeti i PS, Ardit Bido, të mbante fjalën e tij.

Gjithçka pas një replike të Taulant Ballës ndaj Ina Zhupës. Në fjalën e tij Balla u shpreh:

“Nëse ka një fitore të këtyre protestave, është fakti se deri më tani paqësore, pa molotovë, pa dhunë dhe mbi të gjitha i morën sheshin atij atje, ia morën. Çdo të hënë me krushqit me 40-50 veta, ua morën.

Ti je humbësi i madh këtu Sali. Sa i përket amendamentit 17 të propozuar nga Deputetët e Gjelbër. Ju keni votuar kundër në PE, sepse partia Popullorë Europiane, ku merrni pjesë, votoi kundër. Po ashtu, edhe Partia Konservatore. Ne kemi votuar pro në PE, ju keni votuar kundër. Kjo është e vërteta”, u shpreh Balla.

Pas kësaj fjalë të Ballës, PD kërkoi replikë, diçka që u refuzua nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. “Nuk ka replikë mbi replikë, kjo është rregullorja që e keni miratuar vetë. Uluni të vazhdojmë seancën. Gjeni një arsye tjetër për ta prishur seancën, sepse kjo nuk qëndron”, u shpreh Peleshi.

Më pas deputetët e PD u mblodhën të gjithë para foltores, duke refuzuar të largohen dhe sulmuar edhe deputetin Bido, që po tentonte të mbante fjalën e tij. Nuk munguan as etiketimet nga ana e Famur Nokës, që i drejtohej kolegut me thirrjen: O zoti Bideja.

“Shohim që dalin pro protestës ata që kanë dhënë apartamente të entit familjarëve të tyre. Flasin ata që kanë përqindje në zonën e mbrojtur të Aramerasit. Shkojnë protestojnë në zonë tjetër të mbrojtur ku nuk kanë aksione. Flasin për të drejta të protestuesve njerëz që janë në thyerje të nenit 13 të kodit të sjelljes. Këta zotërinj që nuk guxojnë të flasin për çështje të mëdha të kombit, bëjnë zhurmuesin në parlament”, tha Bido.

Pas kësaj Peleshi ndërpreu seancën dhe dha 5 minuta pushim.

Top Channel