Hegseth paralajmëron rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, kritikon aleatët e NATO-s

18/06/2026 18:31

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar një rishikim gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në Evropë, duke kritikuar njëkohësisht disa vende anëtare të NATO-s për mosplotësimin e detyrimeve të tyre në fushën e mbrojtjes.

Gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Hegseth deklaroi se procesi i vlerësimit do të tregojë se cilat vende po kontribuojnë mjaftueshëm për sigurinë kolektive dhe cilat jo.

“Është një rishikim që disa vende do të dështojnë, dhe të tjerat do ta kalojnë me sukses”, tha ai, duke shtuar se disa aleatë kanë përfituar për një kohë të gjatë nga mbështetja amerikane pa marrë përsipër barrën e tyre të plotë.

Hegseth kritikoi gjithashtu shtetet anëtare që kanë vendosur kufizime në mbështetjen për forcat amerikane gjatë konfliktit me Iranin. Ai e përshkroi nismën e re si “NATO 3.0”, një përpjekje për të siguruar që Evropa të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së kontinentit.

Njoftimi vjen pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të reduktuar angazhimet e tyre në Modelin e Forcës së NATO-s (NFM), një strukturë e gatishmërisë së lartë ushtarake brenda aleancës. Megjithatë, detajet e shkurtimeve të planifikuara nuk janë bërë ende publike, edhe pse është bërë e ditur se ato mund të përfshijnë kapacitete ajrore dhe detare.

Administrata amerikane po kërkon që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, duke synuar arritjen e objektivit prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 3.5 për qind do të dedikohet për mbrojtjen bazë dhe 1.5 për qind për infrastrukturën e lidhur me sigurinë.

Sipas Hegseth, niveli i kontributit amerikan në kuotat e NATO-s do të varet nga gatishmëria e vendeve të tjera për të përmbushur këto objektiva. Ai tha se disa nga ekonomitë më të mëdha dhe më të pasura të aleancës vazhdojnë të mos tregojnë urgjencën e nevojshme në investimet për mbrojtjen.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se shpenzimet e mbrojtjes nga vendet evropiane janë rritur me 90 miliardë euro gjatë vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej afro 20 për qind. Sipas tij, aleatët evropianë po përpiqen të kompensojnë gradualisht reduktimet e angazhimeve amerikane.

Top Channel