Inteligjenca artificiale e Musk në luftë? Dokumentet zbulojnë rolin e Grok në operacionet e SHBA-së kundër Iranit
Pas afro dy dekadash marrëdhënie të tensionuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bolivia kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit të drogës, e para e këtij lloji që nga viti 2008.
Sipas marrëveshjes, Uashingtoni do të ofrojë trajnime, pajisje dhe mbështetje teknike për agjencitë boliviane të zbatimit të ligjit, me synimin për të goditur rrjetet e trafikimit të narkotikëve, për të luftuar krimin financiar dhe për të forcuar transparencën në sistemin policor dhe gjyqësor të vendit.
Ambasada amerikane në La Paz bëri të ditur se programi do të drejtohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit, ndërsa SHBA ka angazhuar një fond prej 20 milionë dollarësh për zbatimin e strategjisë.
Marrëveshja shënon një kthesë të rëndësishme në raportet mes dy vendeve. Në vitin 2008, presidenti i atëhershëm bolivian Evo Morales ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin dhe dëboi nga vendi Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA), duke akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme.
Megjithatë, presidenti aktual i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka ndjekur një kurs të ri në politikën e jashtme, duke kërkuar afrimin me Shtetet e Bashkuara dhe institucionet financiare ndërkombëtare pas më shumë se dy dekadash qeverisjeje socialiste.
Edhe pse DEA nuk ka rihapur zyrtarisht zyrat e saj në Bolivi, autoritetet në La Paz kanë konfirmuar se agjencia amerikane po bashkëpunon me strukturat vendase në luftën kundër krimit të organizuar.
Bolivia, e konsideruar prodhuesi i tretë më i madh i kokainës në botë, iu bashkua gjithashtu në fillim të këtij viti iniciativës amerikane “Mburoja e Amerikave”, të promovuar nga administrata e presidentit Donald Trump për të luftuar trafikun e drogës dhe organizatat kriminale ndërkombëtare.
Pavarësisht afrimit mes dy vendeve, SHBA dhe Bolivia ende nuk kanë shkëmbyer ambasadorë, megjithëse të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike.
Top Channel