Inside Story/ I forti i Elbasanit del në komunikimet e klanit “Aruba”: Unë i kam rregulluar punët e mia, kam të ardhura…
Ky pallat polifunksional në rrugën “Mine Peza” nuk është thjesht aktivitet zhvillimi urban, por një mekanizëm për përfitim përmes pastrimit të parave.
Në qendër të hetimit qëndron Luçiano Koçeku, i cili sipas materialeve hetimore dyshohet se ka ndikuar në çdo fazë të projektit, që nga sigurimi i truallit, leja e ndërtimit, deri te ndarja e sipërfaqeve përfituese.
“Nga komunikimet e kryera në SKY ECC nga personi nën hetim Luçiano Koçeku: Më datë 05.08.2020 komunikon: ‘a e do ke Mine Peza… ka filluar pallati… kati zgjidhe vet… sill një njeri të bëjmë kontratë porosie’…. Nga krahasimi i planimetrisë së dërguar në SKY ECC me atë të publikuar nga ‘Nova Construction’ rezulton se bëhet fjalë për të njëjtin objekt ndërtimi në rrugën ‘Mine Peza’” nga dosja hetimore.
Nga hetimet rezulton se ‘Nova Construction’ e Ilir Shtufit ka ndërtuar për llogari të Luçiano Koçekut. Veprimet kryesore të projektit, përfshirë kontratat dhe aktet noteriale, janë zhvilluar në një linjë të koordinuar mes palëve të përfshira.
Komunikimet e SKY ECC e nxjerrin zbuluar Koçekun si personi që zotëron dhe menaxhon në mënyrë de facto apartamente në objektin e ndërtuar në rrugën “Stavri Themeli”, Tiranë, të realizuar nga “Nova Construction 2012”.
“Nga një mesazh i datës 06.08.2020, ai shfaqet duke disponuar planimetrinë dhe të dhëna të detajuara të apartamentit nr. 6/4 me sipërfaqe totale 99.4 m². Personi nën hetim Luçiano Koçeku në tërësinë e komunikimeve paraqitet si pronar de facto i apartamenteve në këtë objekt, edhe pse nuk rezulton me akt noterial që i lindin të drejta reale mbi to” nga dosja hetimore.
Hetimet tregojnë se objekti është ndërtuar nga “Nova Construction”, në bashkëpunim me “DevelAlb Construction”, ndërsa shitjet janë formalizuar përmes kësaj të fundit. Një apartament i njëjtë me atë të shfaqur në SKY ECC rezulton më pas i regjistruar në ASHK në emër të palëve të treta.
Sipas prokurorisë, këto të dhëna krijojnë dyshime se apartamentet dhe projekti ndërtimor mund të jenë pjesë e një skeme ku pasuri të paligjshme janë kanalizuar përmes sektorit të ndërtimit.
Top Channel