Marrëveshja SHBA-Iran, Netanyahu në presion politik/ Armëpushimi i Trump trondit strategjinë e kryeministrit izraelit
Samiti i liderëve të G7 në Evian-les-Bains të Francës është zhvilluar nën hijen e dy krizave të mëdha ndërkombëtare, luftës në Lindjen e Mesme dhe konfliktit në Ukrainë, ndërsa vëmendja më e madhe është përqendruar te presidenti amerikan Donald Trump.
Organizatorët e samitit kishin dy shqetësime kryesore para mbërritjes së Trump, nëse ai do të vinte në kohë dhe si do të ishte qëndrimi i tij ndaj liderëve të tjerë. Presidenti francez Emmanuel Macron madje shtyu nisjen e samitit me një orë për t’i krijuar mundësi Trumpit të festonte ditëlindjen e tij të 80-të në SHBA para udhëtimit drejt Francës.
Ndryshe nga samitet e mëparshme, ku Trump është përfshirë shpesh në deklarata të forta ndaj aleatëve perëndimorë, këtë herë ai mbërriti në Evian me tone më të moderuara. Takimi i tij me Macron u shoqërua me një atmosferë miqësore, ndërsa nuk munguan edhe momentet që tërhoqën vëmendjen e mediave, përfshirë një përshëndetje të ngrohtë me Brigitte Macron.
Megjithatë, para nisjes për në Francë, Trump kishte paralajmëruar se mund të vendoste tarifa 100 për qind ndaj verërave franceze nëse Parisi nuk heq taksën ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë. Kërcënimi u refuzua menjëherë nga Macron, i cili deklaroi se çështje të tilla nuk zgjidhen me presion publik.
Një tjetër zhvillim që dominoi diskutimet ishte telefonata e presidentit rus Vladimir Putin me Trumpin për ditëlindjen e tij, një kontakt që pritet të diskutohet edhe gjatë takimeve të liderëve të G7.
Ndërkohë, sot në samit pritet të mbërrijë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të zhvillojë bisedime me homologun amerikan në një moment kyç për të ardhmen e luftës në Ukrainë. Takimi vjen në një kohë kur Bashkimi Europian ka nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, një hap që Brukseli e konsideron historik.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Ukraina ka përmbushur detyrimet e saj dhe se tani është radha e Bashkimit Europian të avancojë procesin e integrimit. Sipas saj, Kievi po vazhdon të rezistojë në front dhe në disa zona po arrin edhe të rikuperojë territore.
Në fokus të samitit mbetet gjithashtu marrëveshja e paralajmëruar mes SHBA-së dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Liderët europianë e kanë pritur me optimizëm të kujdesshëm zhvillimin, duke shpresuar se mund të shmanget një konflikt më i gjerë rajonal dhe të rikthehet normaliteti në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.
Megjithatë, Bashkimi Europian ka bërë të qartë se çdo lehtësim i sanksioneve ndaj Iranit do të varet nga veprime konkrete dhe të verifikueshme nga ana e Teheranit.
Samiti i G7 pritet të dominohet nga përpjekjet për të gjetur zgjidhje diplomatike si për krizën në Lindjen e Mesme, ashtu edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa të gjithë sytë mbeten te Donald Trump dhe roli që ai synon të luajë në të dyja dosjet më të nxehta të momentit.
Top Channel