Protesta para Kryeministrisë/ Vajza 5-vjeçare humbet mes turmës, qytetari: Kush e sheh, ta dërgojë te këndi i lojërave para Piramidës E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn gjatë një aktiviteti të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi se kompanitë amerikane po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje Shqipërisë, ndërsa theksoi se një numër investitorësh amerikanë tashmë operojnë në vend.
Diplomatja amerikane vlerësoi kuadrin e ri për shqyrtimin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për të garantuar që Shqipëria mbetet e hapur ndaj biznesit, por njëkohësisht të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Më tej ajo theksoi se investitorët e huaj kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas rregullave.
Fjala e plotë e Nancy VanHorn:
Sapo i thashë Grant se mendoj se ky është një takim ku do të dëgjoni të njëjtat gjëra përsëri e përsëri. Ne të katërt, mendoj, po flasim me një zë të vetëm.
Pra, një falënderim shumë i madh për Neritanin dhe Grant për mikpritjen e ngrohtë, për ministren që u bashkua me ne sot dhe mendoj se ajo në fakt e shtjelloi shumë mirë rëndësinë e këtij mekanizmi dhe procesi. Dhoma Amerikane ka një talent të vërtetë për të kthyer prioritetet e përbashkëta në veprime të përbashkëta – dhe ky i sotmi është një shembull i përsosur.
Ministre Ibrahimaj, është kënaqësi t’ju shoh këtu. Udhëheqja e ministrisë suaj mbi mekanizmin e shqyrtimit të investimeve ka qenë thelbësor dhe Shtetet e Bashkuara janë të krenara të qëndrojnë krah jush.
Pra, do të flas shkurt, sepse substanca e vërtetë ndodhet në prezantimet dhe diskutimet që do të pasojnë. Por dua të them disa gjëra nga perspektiva e ambasadës.
Kjo është shumë e rëndësishme. Kuadri i shqyrtimit të IHD-së (Investimeve të Huaja Direkte) të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik – është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare.
Dhe investitorët po i kushtojnë vëmendje – përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne.
Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim. Dhe kjo përputhje ka rëndësi.
Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë – dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministren Ibrahimaj dhe me ministri e institucione të tjera që do ta sjellin këtë kuadër në jetë.
Komunitetit të biznesit në këtë sallë: Mekanizmat e shqyrtimit janë krijuar për t’ju mbrojtur. Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton.
Ndaj sot bëhet fjalë për të sjellë të gjithë në të njëjtën tryezë – për të kuptuar çfarë nënkupton ky kuadër, si funksionon dhe çfarë vjen më pas. Shqipëria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara, dhe mirëpresim punën që na pret.
Top Channel