Zvicra vendos “kapakun”, referendum për të ndalur rritjen e popullsisë mbi 10 milionë banorë

13/06/2026 12:20

Zviceranët votojnë të dielën për një propozim që synon të kufizojë popullsinë e vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050.

Nisma mbështetet nga Partia popullore zvicerane, e cila argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi strehimin, shërbimet publike dhe mjedisin.

Qeveria, partitë e tjera kryesore, bizneset dhe sindikatat e kundërshtojnë planin, duke paralajmëruar se ai mund të shkaktojë mungesë të fuqisë punëtore, të dëmtojë ekonominë dhe të tensionojë marrëdhëniet me BE-ne. Popullsia e Zvicrës është rritur nga 7.3 milionë në vitin 2002 në 9.1 milionë sot, ndërsa 27% e banorëve janë të huaj.

Mbështetësit e nismës fajësojnë emigracionin për mungesën e banesave, trafikun dhe mbingarkesën e shërbimeve publike. Kundërshtarët argumentojnë se këto probleme lidhen me politikat e strehimit dhe investimeve, jo me emigrantët. Nëse miratohet, qeveria do të detyrohet të kufizojë azilin, bashkimin familjar dhe, në rast se popullsia arrin 10 milionë banorë, mund të duhet të tërhiqet edhe nga marrëveshjet me BE-në për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Sondazhet tregojnë një garë shumë të ngushtë: rreth 52% e votuesve janë kundër dhe 45% pro, ndërsa shumë të tjerë mbeten ende të pavendosur. Sipas ekspertëve, referendumi po shndërrohet në një debat mes nevojës për të frenuar rritjen demografike dhe frikës se izolimi mund t’i kushtojë shtrenjtë Zvicrës ekonomikisht dhe politikisht.

Top Channel