“Protesta më e fuqishme që ka njohur Tirana, Rama të heqë dorë nga anti-mitingu”/ Berisha: Ligjet që kërkoni të anulohen, PD i ka votuar kundër në Parlament

12/06/2026 12:23

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat ku foli për protestat që po zhvillohen në Tiranë.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të dalin në protestë, ndërsa shtoi se ligjet që kërkojnë protestuesit të anulohen, PD i ka votuar kundër në Parlament.

“Jam këtu për të shprehur edhe një herë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Protestë e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër diktaturës autoritare, regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive sa kjo.

Ndaj thirrja ime, për çdo demokrat dhe demokrate, mbështetës dhe mbështetëse të PD, të bashkohen në protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës. Protestë kjo që tejkalon fuqitë e forcave politike, por që kërkon me vendosmëri fundin e regjimit autokratik të Edi Ramës. Anulimin e një serie ligjesh, për të cilat deputetët e PD-së në Parlament kanë votuar kundër në komisione dhe seanca plenare. I kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese, që bien në kundërshtim me direktivat e KE-së. Pra, çdo demokrat dhe demokrate, por çdo qytetar dhe qytetare e Shqipërisë ka motivet më të rëndësishme për të mbështetur këtë protestë, e cila ka marrë krahas përmasave të uraganit në rrugë dhe sheshet e Tiranës, përmasa të papara botërore. Është bërë lajm dhe superlajm i të gjitha agjencive më të mëdha të botës.

Por unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm, cinik e armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve dhe paralajmëroj që me këtë qëndrim, ai kërkon ta zhysë vendin në kaos. Është e pafalshme, e papranueshme, përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me anti-mitingje anakronike, gjoja po feston 35-vjetorin e partisë së krimit. Është cinike. Është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës qytetare me takimin e zgërbonjave të krimit të PS, takime që ngjasojnë nga Alfa te Omega me takimet e mafies. Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga anti-mitingjet. Të mos sfidojë uraganin e fuqishëm paqësor të rinisë studentore me anti-mitingje mafioze.

Edhe një herë, dënoj me forcën më të madhe, i bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar, atij politik të mbështesin këtë protestë, e cila ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga narko-regjimi i Edi Ramës.

Dënoj gjithashtu provokacionet e ulëta të Edi Ramës ndaj protestuesve. Epitetet, fiksimet, halucinacionet e tij”, u shpreh Berisha.

Top Channel