Zjarri shkrumbon kopshtin zoologjik në Britaninë e Madhe, vret pothuajse të gjitha kafshët

11/06/2026 16:14

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e para të mëngjesit në qendrën argëtuese për fëmijë “The Jungle Box”, në zonën industriale Watermill, në Britaninë e Madhe, duke shkaktuar një tragjedi për kafshët që ndodheshin në mini-kopshtin zoologjik të kompleksit.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë dhjetë automjete zjarrfikëse, të cilat punuan për orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në ndërtesat përreth.

“The Jungle Box”, e hapur në qershor të vitit 2025, ishte një destinacion i njohur për familjet, pasi përveç ambienteve argëtuese për fëmijë, përfshinte edhe një mini-kopsht zoologjik me kafshë të ndryshme si surikata, bufë, iguana, breshka gjigante dhe një gjarpër rreth pesë metra të gjatë.

Pas shuarjes së zjarrit, Shërbimi i Zjarrfikësve të Hertfordshire konfirmoi se të gjitha kafshët që ndodheshin në objekt në momentin e incidentit kishin ngordhur. Zëvendës Shefi i Zjarrfikësve, Darren Cook, falënderoi ekipet për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.

“Ekipet tona punuan pa ndërprerje për të kontrolluar zjarrin dhe për të mbrojtur ndërtesat fqinje. Fatkeqësisht, asnjë nga kafshët që ndodheshin brenda objektit nuk arriti të mbijetojë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit. Megjithatë, mes rrënojave është regjistruar edhe një moment shprese. Gjatë inspektimeve në vendngjarje, hetuesit zbuluan një breshkë të vogël të gjallë, pavarësisht frikës fillestare se të gjitha kafshët kishin humbur jetën.

Në një njoftim në rrjetet sociale, autoritetet e cilësuan gjetjen si një “moment të vogël, por domethënës”, pas një ngjarjeje tejet të dhimbshme.

“Gjatë hetimit për shkakun e zjarrit, zbuluam me habi një breshkë të vogël të gjallë mes hirit dhe rrënojave. Është një lajm i gëzueshëm në mes të një tragjedie të madhe”, thuhet në reagimin e tyre.

Hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga humbja e kafshëve në këtë incident shkatërrues.

Top Channel