Dyshimet për substanca të rrezikshme në Pentagon/ Alarmi rezulton i rremë, autoritetet nuk konstatuan kërcënim real për personelin
Fenomeni klimatik El Niño, i lidhur shpesh me thatësira, përmbytje dhe temperatura rekord në mbarë botën, ka filluar zyrtarisht gjatë muajit të kaluar, njoftoi Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e Shteteve të Bashkuara (NOAA).
Sipas NOAA-s, ekziston një probabilitet prej 63% që fenomeni të arrijë intensitet shumë të lartë gjatë periudhës nëntor–janar, duke e renditur atë ndër episodet më të fuqishme të regjistruara që nga fillimi i matjeve në vitin 1950.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që shkakton ngrohjen e temperaturave sipërfaqësore të ujërave në Oqeanin Paqësor qendror dhe lindor, pranë ekuatorit. Ky proces ndikon në shkallë globale në modelet e erës, presionit atmosferik dhe reshjeve.
Fenomeni zakonisht arrin kulmin në fund të vitit. Megjithëse çdo episod i El Niño-s paraqet karakteristika të veçanta, ngjarjet e forta shpesh shoqërohen me thatësira në pjesë të Amazonës, Indonezisë dhe Australisë, çrregullime të musonit indian si dhe ndryshime të konsiderueshme të reshjeve në rajonet tropikale.
Nxehtësia e grumbulluar në oqean shpërndahet gradualisht dhe mund të vazhdojë të ndikojë në rritjen e temperaturave globale edhe gjatë vitit pasardhës. Për këtë arsye, shumë meteorologë paralajmërojnë se viti 2027 mund të thyejë rekordin si viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë.
Shkencëtarët e klimës po shprehin gjithnjë e më shumë bindjen se këtë vit do të zhvillohet një episod shumë i fortë i El Niño-s.
“Shanset favorizojnë fuqimisht një episod nga i moderuar në të fortë, ose madje një ngjarje potencialisht të paprecedentë”, deklaroi për AFP-në Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus.
Top Channel