Lufta në Lindjen e Mesme, Rusia bën thirrje për paqe: Palët të gjejnë një rrugë politike dhe diplomatike sa më shpejt
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ndaj disa objektivave ushtarake iraniane pas rrëzimit të një helikopteri Apache në Gjirin Persik.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se janë goditur sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët dhe stacionet e kontrollit pranë Ngushticës së Hormuzit, në atë që Uashingtoni e cilësoi si një “përgjigje proporcionale”.
Pas sulmeve amerikane, Irani reagoi duke pretenduar se ka shënjestruar 21 objektiva të lidhura me bazat amerikane në rajon, përfshirë Bahreinin dhe Jordaninë. Autoritetet në Bahrein konfirmuan aktivizimin e alarmit ajror, ndërsa sulmet u zmbrapsën.
Sipas zyrtarëve amerikanë, helikopteri Apache u rrëzua pas një sulmi me dron, që dyshohet se është kryer nga Irani. Dy anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se helikopteri po patrullonte në Ngushticën e Hormuzit kur ndodhi incidenti dhe theksoi se SHBA ishte e detyruar të përgjigjej. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi se Teherani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim, duke kërkuar largimin e forcave të huaja nga rajoni.
Përshkallëzimi i ri i tensioneve vjen në një moment kur SHBA dhe Irani po zhvillojnë negociata për një marrëveshje që synon uljen e konfliktit në rajon. Trump deklaroi se palët janë pranë një marrëveshjeje dhe se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet brenda pak ditësh.
Top Channel