Terror në një shkollë në Mançester/ 14-vjeçarja sulmon me thikë nxënësit dhe mësuesen që u përpoq ta ndalonte, dëshmitari: E goditi në qafë, pastaj…

09/06/2026 17:16

Skena paniku u regjistruan në një shkollë në Mançester, pasi një nxënëse 14-vjeçare sulmoi me thikë nxënës dhe mësues brenda një klase.

Një mësuese 27-vjeçare mbeti e plagosur në qafë teksa përpiqej të mbronte nxënësit dhe t’i merrte thikën adoleshentes. Po ashtu, të plagosur mbetën edhe dy nxënës 14-vjeçarë, një vajzë dhe një djalë.

Policia arrestoi menjëherë autoren e dyshuar dhe bëri të ditur se nuk ekziston asnjë kërcënim i mëtejshëm për shkollën apo komunitetin lokal.

Sipas raportimeve të Daily Mail, ngjarja ndodhi në një shkollë në zonën Blackley të Mançesterit, e cila u vendos menjëherë në izolim pas incidentit.

Policia njoftoi se 14-vjeçarja është arrestuar nën dyshimin për shkaktim të qëllimshëm të plagëve të rënda trupore. Mësuesja 27-vjeçare pësoi plagë në qafë, ndërsa dy nxënësit u lënduan në shpatull dhe në vesh.

Dëshmitarët thanë se mësuesja e plagosur u godit ndërsa përpiqej t’ia hiqte thikën nga duart nxënëses.

Nxënës dhe dëshmitarë okularë përshkruan skena kaosi brenda shkollës. Sipas tyre, disa mësues mbajtën të mbyllur derën e klasës ku ndodhej nxënësja e armatosur, për të mos lejuar që ajo të dilte dhe të sulmonte nxënës të tjerë.

“Ajo u përpoq të largohej nga klasa për të sulmuar fëmijë të tjerë, por mësuesit e mbajtën derën të mbyllur. Ishte e frikshme. Mësuesja u përpoq t’ia merrte thikën, por u godit në qafë. Më pas vajza hodhi thikën dhe u arrestua. E pashë të dilte me pranga”, tha një dëshmitar.

Sipas raportimeve, një nga nxënëset e plagosura bërtiti “Më goditën me thikë” ndërsa largohej me vrap nga klasa.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes.

Top Channel