Irani dhe Izraeli ndalin sulmet, Trump bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm
Sulme të reja izraelite janë raportuar mëngjesin e kësaj të marte në jug të Libanit, pavarësisht paralajmërimit të bërë nga Irani për ndalimin e operacioneve ushtarake.
Sipas Al Jazeera Arabic, një dron ka goditur qytetin e Nabatieh. Ndërkohë, transmetuesi publik izraelit Kan News, duke cituar mediat libaneze, raporton se avionët izraelitë kanë kryer sulme në një zonë të rajonit të Tyrit.
Deri më tani, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk kanë bërë asnjë koment zyrtar lidhur me raportimet.
Një ditë më parë, Irani deklaroi se kishte pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por paralajmëroi se do t’i rifillonte ato nëse sulmet izraelite vazhdonin, përfshirë edhe në Libanin jugor.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, pesë persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në Tyre gjatë ditës së djeshme, vetëm pak orë pas paralajmërimit të Teheranit.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit vazhdon të rritet.
Top Channel