Rusia godet rajonin e Kharkivit në Ukrainë, katër viktima dhe dhjetë të plagosur
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po humbet gradualisht iniciativën në luftën kundër Ukrainës, duke vlerësuar se situata në front është më e favorshme për Kievin sesa ka qenë në dy vitet e gjysmë të fundit.
Në një intervistë për The Guardian, Zelensky tha se nuk mund të thuhet ende se Rusia po e humbet luftën, por sipas tij, forcat ruse po humbasin avantazhin strategjik çdo ditë.
“Nuk mund të themi se Rusia po e humbet këtë luftë. Por mund të themi se ajo po humbet iniciativën çdo ditë, dita-ditës”, deklaroi presidenti ukrainas.
Sipas Zelenskyt, javët e fundit Moska ka pësuar disa goditje të rëndësishme. Sulmet me dronë ukrainas kanë goditur objektiva strategjikë pranë Shën Petersburgut, ndërsa sulme të ngjashme kanë dëmtuar infrastrukturën ushtarake dhe logjistike në Krime.
Presidenti ukrainas pretendon se Rusia po humbet më shumë se 30 mijë ushtarë në muaj, mes të vrarëve dhe të plagosurve rëndë.
“Ky është një numër shumë i madh. Kjo do të thotë se ata nuk po e fitojnë luftën”, u shpreh ai.
Megjithatë, Zelensky pranoi se lufta vazhdon të ketë pasoja të rënda për Ukrainën. Sipas tij, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase, duke përdorur qindra dronë dhe dhjetëra raketa kundër objektivave civile.
Ai përmendi një sulm të fundit në të cilin, sipas autoriteteve ukrainase, u përdorën 73 raketa dhe 656 dronë, duke shkaktuar viktima në Kiev dhe Dnipro, mes tyre edhe një fëmijë trevjeçar.
Duke folur për përpjekjet diplomatike, Zelensky zbuloi se së fundmi i ka propozuar presidentit rus Vladimir Putin një takim të drejtpërdrejtë për të diskutuar përfundimin e konfliktit. Megjithatë, sipas tij, Kremlini e refuzoi ofertën dhe vazhdoi të mbajë të pandryshuara kërkesat territoriale ndaj Ukrainës.
Presidenti ukrainas akuzoi Putinin për mashtrim të vazhdueshëm lidhur me luftën.
“Arsyeja pse ai gënjen nuk ka rëndësi. Ai ka gënjyer që nga fillimi i luftës”, tha Zelensky.
Në intervistë, ai foli edhe për situatën ndërkombëtare, duke argumentuar se Rusia po humbet ndikim në disa vende dhe po përballet me izolim në Evropë.
“Ata po humbasin ndikimin në vende të ndryshme. Janë të izoluar brenda Evropës dhe gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara. Janë vetëm”, deklaroi ai.
Zelensky komentoi edhe marrëdhëniet me Presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se i ka përsëritur vazhdimisht se Putini nuk është i besueshëm.
“Gjithmonë i kam thënë presidentit Trump se Putini po gënjen. Ai po luan lojëra me ju dhe me Shtëpinë e Bardhë”, tha lideri ukrainas.
Një nga shqetësimet kryesore të Kievit mbetet mbrojtja ajrore. Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme Patriot, të cilat sipas tij janë të vetmet që mund të ndalojnë raketat balistike ruse.
Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të shtojnë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën, ndërsa nënvizoi se Kievi është i gatshëm të ndajë përvojën e tij në luftën me dronë me aleatët evropianë.
Duke folur për të ardhmen e konfliktit, Zelensky tha se Ukraina po vazhdon operacionet për të goditur objektivat ushtarake ruse në Krime dhe në territoret e pushtuara, ndërsa shprehu bindjen se fitorja do të vijë kur shoqëria ruse të përballet me pasojat reale të luftës.
“Fitorja në këtë luftë do të vijë kur shoqëria ruse të kuptojë se lufta është e tmerrshme dhe se është tragjedi edhe për vetë rusët”, përfundoi ai.
Top Channel