Tensionet në Lindjen e Mesme, Irani akuzon SHBA-në dhe Izraelin: Është shkelur armëpushimi, do veprojmë për të mbrojtur sigurinë tonë

08/06/2026 10:30

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se armëpushimi është shkelur në mënyrë të vazhdueshme nga palët kundërshtare, duke paralajmëruar se Republika Islamike do të ndërmarrë veprime sa herë që e konsideron të nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare.

“Armëpushimi është shkelur vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur nga palët kundërshtare. Ne do të ndërhyjmë sa herë që e konsiderojmë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e vendit”, u shpreh Baghaei, sipas raportimeve të agjencisë iraniane të lajmeve Fars News Agency.

Zyrtari iranian komentoi gjithashtu marrëdhëniet mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke theksuar se kontaktet mes dy vendeve janë zhvilluar në një klimë të thellë mosbesimi.

“Sipas përvojës sonë, shkëmbimet me amerikanët kanë ndodhur gjithmonë në një atmosferë mosbesimi. Ngjarjet e ditëve të fundit dhe ato të natës së kaluar vetëm sa e kanë thelluar më tej këtë mosbesim”, deklaroi ai.

Komentet e Baghaeit vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa Irani vazhdon të akuzojë kundërshtarët e tij për shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit dhe për veprime që, sipas Teheranit, rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të vendit.

Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi incidentet e fundit që, sipas tyre, përbëjnë shkelje të armëpushimit, por kanë bërë të qartë se do të reagojnë ndaj çdo kërcënimi që vlerësojnë se cenon interesat e Republikës Islamike.

Top Channel