Nuk ka marrëveshje me Ukrainën, zëdhënësi i Kremlinit mohon çdo dialog me Kievin: S’mund të negociojmë pas krimeve terroriste kundër fëmijëve

08/06/2026 14:07

Përpjekjet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të arritur një marrëveshje me Rusinë duket se mbeten të pafrytshme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi çdo mundësi dialogu me Kievin, duke u shprehur se Rusia nuk mund të negociojë pas “krimeve terroriste kundër fëmijëve”.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian vijon mbështetjen financiare për Ukrainën. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari, njoftoi se kësti i parë prej 9.1 miliardë eurosh nga kredi e përbashkët prej 90 miliardë eurosh do të disbursohet deri në qershor, ku 5.9 miliardë euro do të shkojnë për mbrojtje dhe 3.2 miliardë euro për mbështetje të buxhetit shtetëror.

Sipas raporteve, gjatë natës një dron ukrainas goditi një tren pasagjerësh në linjën Moskë–Simferopol, duke shkaktuar vdekjen e makinistit dhe plagosjen e ndihmësit të tij. Guvernatori i Krimesë, Sergey Aksyonov, njoftoi se pasagjerët nuk pësuan lëndime dhe po organizohen autobusë për transportimin e tyre, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.

Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja ajrore rrëzoi 310 dronë ukrainas të nisur drejt rajoneve ruse, përfshirë Moskën dhe Krimenë. Nga ana tjetër, Ukraina raportoi se Rusia ka nisur rreth 155 dronë sulmues mbi territorin e saj, ndërsa forcat ukrainase rrëzuan 124 prej tyre.

Në një tjetër zhvillim, një dron u rrëzua në Letoni nga Forcat e Armatosura të NATO-s pas një ndërhyrjeje elektromagnetike ruse, në zonat lindore të vendit.

Top Channel