Një marrëveshje SHBA-Iran do të ishte katastrofike për Izraelin/ Netanyahu sfidon Trumpin, rriten frikërat për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme
Alarm në hapësirën ajrore të Letonisë pranë kufirit me Rusinë. Avionët luftarakë francezë të NATO-s u ngritën menjëherë në fluturim dhe rrëzuan një dron, ndërsa autoritetet urdhëruan qytetarët të strehoheshin.
Një dron është rrëzuar mbi territorin e Letonisë nga avionë luftarakë francezë të vendosur në misionin e policimit ajror të NATO-s në shtetet baltike.
Alarmi u dha mëngjesin e së hënës, kur ushtria letoneze njoftoi për një kërcënim të mundshëm në hapësirën ajrore mbi disa rajone në lindje të vendit, pranë kufirit me Rusinë. Autoritetet dërguan mesazhe emergjence në telefonat celularë të banorëve dhe ngritën nivelin e gatishmërisë.
Rreth një orë më vonë, Forcat e Armatosura të Letonisë konfirmuan se droni ishte neutralizuar. Për reagimin u aktivizuan avionët francezë të NATO-s, të cilët operojnë nga baza ajrore e Šiauliai-t në Lituani, në kuadër të misionit të mbrojtjes së hapësirës ajrore të vendeve baltike.
Autoritetet kaluan alarmin në nivelin portokalli, që nënkupton një kërcënim të konfirmuar ajror, dhe u kërkuan qytetarëve të strehoheshin menjëherë brenda ndërtesave.
Forcat e Armatosura të Letonisë kanë paralajmëruar se incidente të tilla mund të përsëriten për sa kohë vazhdon lufta në Ukrainë, pasi aktiviteti i dronëve pranë kufijve të rajonit është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Top Channel