Protestat për projektin e Zvërnecit, reagon sërish Rama: Budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot të vazhdojë rrugën e nisur

07/06/2026 14:30

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas protestave për projektin e Zvërnecit, duke u ndalur tek disa resorte në botë.

“FLAMINGOT MES PAQES SË BAHAMASIT DHE SHERRIT TË TIRANËS🤡
➡️ Në Nassau të Bahamasit, një nga resortet më të famshme dhe më luksoze të Karaibeve, Baha Mar, flamingot nuk konsiderohen problem. Përkundrazi. Janë simboli i destinacionit.
Janë pjesë e identitetit të vendit, pjesë e eksperiencës turistike, pjesë e imazhit me të cilin Bahamasi prezantohet paqësor e mikpritës para botës.

Qindramijëra turistë fotografohen me flamingot çdo vit. Resortet organizojnë aktivitete rreth tyre. Fëmijët mësojnë për ta. Vizitorët vijnë nga larg edhe sa për t’i parë.
Askush nuk pyet më nëse flamingot mund të bashkëjetojnë me turizmin.

Pyetja është si të zhvillohet më tej turizmi në mënyrë që flamingot të mbeten gjithnjë aty.
Sepse në ekonominë moderne natyra nuk është armike e zhvillimit. Është pjesë e zhvillimit. Flamingot nuk janë një problem për zhvillimin. Janë një privilegj.

Janë një pasuri që shumë vende turistike do jepnin shumëçka që ta kishin, për ta kthyer në burim mirëqenieje.
Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes flamingove dhe turizmit.
Sfida jonë është të ndërtojmë një model ku flamingot, laguna, pylli, plazhi dhe turizmi i cilësisë së lartë të forcojnë njëri-tjetrin.
Sepse në fund, askush nuk udhëton mijëra kilometra për të parë atë që gjen më afër.
Njerëzit udhëtojnë për të parë atë që është unike.
Dhe për Shqipërinë e shumë gjërave unike, një nga gjërat më unike janë pikërisht flamingot e Vlorës dhe bukuria e rrallë e Zvërnecit.
Madje ka edhe një detaj domethënës.

Në Baha Mar, një nga markat kryesore të projektit është Rosewood Baha Mar, një nga emrat më prestigjiozë të hotelerisë luksoze në botë. E njëjta markë është gjithashtu në dosjen e investitorëve të projektit të Zvërnecit.

Ndërkohë që në Zvërnec do të jenë të pranishme edhe disa nga markat më të njohura globale të mikpritjes së nivelit ultra-luks, nga Cheval Blanc te Mandarin Oriental, e deri te Atlantis Resorts, marka që kontribuoi në transformimin e Dubait në destinacionin numër një turistik të Gjirit Arabik dhe që tani ka pranuar të vijë për herë të parë në Europë, në Vlorë, pasi e ka refuzuar gjithnjë ardhjen në kontinentin e vjetër.
Kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet apo do të bëhet Bahamasi. Aspak. Megjithë respektin për atë vend, Shqipëria ka shumë më shumë potenciale.

Kjo do të thotë se Shqipëria ka mundësinë të ëndërrojë fort dhe të ndërtojë një model spektakolar të sajin, ku natyra nuk izolohet nga zhvillimi, por bëhet arsyeja pse zhvillimi ka vlerë.
Shkurt fjala, në jo pak nga destinacionet më të suksesshme turistike të botës, flamingot janë pjesë e suksesit të tyre.

Prandaj:

BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR🇦🇱🦩🇪🇺”, shkruan Rama krahas fotove.

Top Channel