Dita e 8-të e protestës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe nisen drejt Kryeministrisë
Prokuroria e Korçës ka zbardhur detaje të reja nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Maliq, ku humbi jetën efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Violant Braçellarin, i cili akuzohet për katër vepra penale: “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me operacionin e zhvilluar më 4 qershor në Malin e Bodesë për kapjen e Violant Braçellarit, i dënuar më parë me 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe që prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë.
Organi i akuzës bën me dije se plani operacional u mbështet edhe në kallëzimin e një 32-vjeçari, i identifikuar si A.K., i cili kishte punuar prej disa ditësh si çoban në bagëtitë e Braçellarit dhe kishte denoncuar se ishte dhunuar dhe kërcënuar prej tij me qytën e një arme automatike.
Sipas hetimeve, në mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë iu afruan zonës ku ndodheshin stallat e Braçellarit. Gjatë rrethimit të ndërtesave, efektivët u përballën me të shtëna me armë zjarri.
Prokuroria thotë se nga të shtënat humbi jetën punonjësi i policisë Enea Mekolli, ndërsa u plagos rëndë kolegu i tij Edison Adri. Sipas njoftimit, Braçellari tentoi të largohej nga zona, por u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe u kap pak metra larg stallave.
Hetimet paraprake kanë arritur në përfundimin se autori i dyshuar ka qëlluar në drejtim të policisë edhe pse efektivët ishin të identifikuar me uniforma dhe jelekë antiplumb. Prokuroria thekson se breshëritë e armës vazhduan edhe në momentet kur kolegët po përpiqeshin t’i jepnin ndihmën e parë Edison Adrit, ndërkohë që efektivët i bënin thirrje për t’u dorëzuar.
Sipas aktit hetimor, Enea Mekolli ka marrë një dëmtim fatal në pjesën e gjoksit, si edhe në zonën e shiritit mbajtës mbi supe, ndërsa Edison Adri është plagosur në kokë.
Në argumentimin e saj, Prokuroria e Korçës vlerëson se Violant Braçellari paraqet rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, duke marrë parasysh precedentët penalë dhe faktin se për afro 10 vite kishte shmangur zbatimin e vendimeve të drejtësisë dhe vuajtjen e dënimeve të mëparshme.
Njëkohësisht, organi i akuzës ka bërë të ditur se hetimet nuk po fokusohen vetëm te autori i dyshuar. Në njoftim thuhet se ekzistojnë dyshime të bazuara se mund të jenë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në lidhje me mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit policor, si dhe masat e marra paraprakisht nga zinxhiri drejtues i operacionit. Kjo pistë hetimore mbetet ende në verifikim nga Prokuroria e Korçës.
Top Channel