“Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoba dhe detyrime të papaguara”/ Policia apel qytetarëve: Mos i klikoni linket

07/06/2026 16:57

Policia e Shtetit ka lëshuar një apel për qytetarët pas raportimeve të shumta për mesazhe mashtruese që pretendojnë në mënyrë të rreme ekzistencën e gjobave apo detyrimeve administrative të papaguara.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë denoncuar se kanë marrë SMS në të cilat u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të supozuara. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve.

Policia sqaron se bëhet fjalë për një skemë mashtrimi të njohur si “Smishing”, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe që pretendojnë se kanë gjoba rrugore, detyrime financiare ose procedura administrative në pritje. Mesazhet përmbajnë lidhje që i drejtojnë përdoruesit në faqe interneti të rreme, të ndërtuara për t’u ngjasuar platformave zyrtare të institucioneve shtetërore.

Sipas hetimeve paraprake, qëllimi i autorëve është marrja e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve, të cilat më pas mund të përdoren për transaksione të paautorizuara dhe përvetësimin e fondeve nga llogaritë bankare.

Policia thekson se marrja e një SMS-je nuk përbën rrezik në vetvete për fondet bankare. Rreziku lind kur qytetari klikon mbi lidhjen mashtruese dhe plotëson të dhënat e kartës bankare, kredencialet e internet banking-ut ose kodet e sigurisë të dërguara nga banka.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo financiare në faqe të paverifikuara dhe të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë apo autentifikimit.

Po ashtu, Policia këshillon që çdo njoftim i tillë të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse. Në rast se një qytetar ka plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë, ai duhet të kontaktojë menjëherë bankën e tij dhe të njoftojë autoritetet.

Policia e Shtetit bën të ditur se monitorimi dhe hetimi i kësaj veprimtarie kriminale vijon, ndërsa lufta kundër krimit kibernetik dhe mbrojtja e qytetarëve në hapësirën dixhitale mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit.

Top Channel