Kryeministri Rama ironizon protestuesit e Zvërnecit: Mos ua zhvirgjëroni plazhin flamingove me makina e mbeturina

07/06/2026 08:11

Kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar në zonën e Zvërnecit, duke ironizuar protestuesit dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e mjedisit.

Përmes një postimi në Facebook, Rama iu drejtua me ironi “revolucionarëve”, duke u kërkuar që herën tjetër kur të shkojnë në atë bregdet për të protestuar në mbrojtje të flamingove, të mos futen me automjete në plazh dhe të mos ndotin zonën.

“MIRËMËNGJES 😊 dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë🦩”, shkruan Rama në postimin e tij.

Reagimi vjen në një kohë kur debati për projektin në Zvërnec dhe protestat kundër tij vijon të shkaktojë përplasje të forta politike dhe publike.

Top Channel