Izraeli godet një automjet ushtarak në jug të Libanit, vriten disa ushtarë libanezë, përfshirë edhe një oficer
Forcat e armatosura ruse kanë rrëzuar 86 dronë ukrainas gjatë natës së të premtes në rajonin përreth Shën Petersburgut, ku po zhvillohet një forum i madh investimesh, thanë autoritetet e qytetit.
“86 dronë u rrëzuan në hapësirën ajrore të rajonit të Leningradit. Operacionet luftarake po vazhdojnë”, shkroi guvernatori rajonal Alexander Drozdenko në Telegram.
“Shën Petersburgu është bërë shënjestër e një sulmi të gjerë nga dronë ushtarakë. U bëj thirrje banorëve të Shën Petersburgut të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Alexander Beglov.
Aeroporti Ndërkombëtar i Pulkovos, në pjesën jugore të qytetit, njoftoi një pezullim të përkohshëm të fluturimeve, pa specifikuar arsyen.
Të mërkurën, ditën kur forumi i Shën Petersburgut, i njohur më parë si “Davosi rus”, do të hapej, dronët ukrainas goditën një objekt nafte dhe një instalim ushtarak. Të ftuarit mbërritën në event me një kolonë tymi të zi në sfond.
Forumi përfundon sot, një ditë pas një fjalimi nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Tetë dronë ukrainas u rrëzuan gjithashtu në orët e para të mëngjesit, ndërsa po shkonin drejt Moskës, tha në Telegram kryetari i bashkisë së kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin.
Forcat e armatosura ukrainase kohët e fundit kanë përshkallëzuar sulmet e tyre me dronë kundër Rusisë dhe zonave të vendit të pushtuara nga ushtria ruse, në hakmarrje për sulmet e përditshme ruse në territorin ukrainas. Një sulm me dron shkaktoi një zjarr në një depo karburanti në Ust-Labinsk, në rajonin Krasnodar të Rusisë, sipas autoriteteve lokale.
Në total, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se 376 dronë ukrainas u kapën në hapësirën ajrore ruse gjatë natës.
Në Ukrainë, në rajonin Zaporizhia, një sulm me dron rus ndaj “infrastrukturës kritike dhe industriale” vrau dy persona, njoftoi kreu i komandës ushtarake të rajonit, Ivan Fedorov.
Në rajonin Dnipropetrovsk, i cili u shënjestrua “gati 30 herë nga dronë dhe artileri”, një person u vra dhe tre u plagosën në qytetin e Kryvyi Rih, vuri në dukje kreu i komandës ushtarake lokale, Oleksandr Ganza. Shërbimet ukrainase të shpëtimit raportuan gjithashtu sulme me dronë në qytetin e Odesës, por pa viktima.
Top Channel