KQZ publikon të dhënat nga votimi në Kosovë, deri në mesditë votuan fizikisht gjysma e qytetarëve nga diaspora në 18 ambasada dhe kosullata
Kosova hyn këtë të diel në një tjetër test elektoral për të përballuar krizën institucionale që e ka shoqëruar vendin gjatë 16 muajve të fundit.
Analistët paralajmërojnë se pa një kompromis ndërpartiak, bllokada politike mund të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve. Këto janë të tretat zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare brenda pak më shumë se një viti.
Ato vijnë pas krizave të njëpasnjëshme politike dhe paaftësisë së partive për të arritur konsensus mbi çështjet e institucioneve, përfshirë zgjedhjen e presidentit. Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, theksoi nevojën për institucione të qëndrueshme që mund të realizojnë reformat. Ai u shpreh se BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë e saj: “Kosova ka nevojë për institucione të forta për të realizuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.”
Analistët politikë shprehin skepticizëm lidhur me frekuencën e lartë të zgjedhjeve parlamentare, duke paralajmëruar se kjo dëmton zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit. Artan Muhaxhiri i tha DW se tejzgjatja e bllokadës 16 mujore i ka tejkaluar kufijtë e normalitetit politik. Sipas tij “nëse nuk do të ketë ndryshime radikale në rezultate, bllokada e njëjtë do të vazhdojë edhe pas 7 qershorit, sepse s’ka asnjë indikacion të ndonjë përmirësimi kualitativ për t’i braktisur qasjet e mbrapshta të aktorëve që e kanë sjellë vendin në këtë pikë”.
Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi rëndësinë që Kosova të mbetet një demokraci funksionale. Pas zgjedhjeve, BE-ja pret formimin e institucioneve dhe një qeveri të qëndrueshme me shumicë parlamentare, e aftë të realizojë kompromise ndërpartiake, të zgjedhë presidentin dhe të avancojë axhendën e reformave.
Top Channel