“Nëse krahason Metën me dy terroristë, problemi është i gjykatës”/ Avokati i ish-presidentit jashtë GJKKO-së: Kë do thërrasim nga SHBA, George Bush-in?

05/06/2026 17:13

Avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën që ish-presidenti të qëndrojë jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.

Në një deklaratë për mediat, Kujtim Cakrani e cilësoi vendimin e gjykatës si të pajustifikuar, duke argumentuar se ai cenon standardet e një procesi të rregullt dhe krijon një perceptim negativ për sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, mbrojtja paraqiti argumentet e saj në seancë, por kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese, e cila iu referua praktikave të mëparshme ndërkombëtare në raste që, sipas avokatit, nuk kanë asnjë ngjashmëri me çështjen e Ilir Metës.

“Sipas tij, ky është një nga ato vendime që e turpërojnë gjykatën. Ne e bëmë kërkesën tonë dhe gjykata e rrëzoi, duke iu referuar rasteve të një ukrainasi dhe një rusi. Ukrainasi akuzohej për 43 vrasje, ndërsa rusi për cenim të rendit kushtetues”, u shpreh Cakrani.

Cakrani tha se krahasimi i rastit të klientit të tij me persona të akuzuar për vepra shumë të rënda penale është i papërshtatshëm dhe nuk qëndron në aspektin juridik.

“Gjykata, nëse krahason Metën me dy terroristë, atëherë problemi është i gjykatës. Më vjen turp që një gjykatë shqiptare me formim amerikan i referohet vendimeve të Rusisë. Kë do thërrasim nga Amerika? George Bushin? Nuk mund t’i themi George Bushit të vij këtu”, u shpreh ai.

GJKKO rrëzoi gjatë seancës kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi i xhamit, ndërsa nuk pranoi as kërkesën për transmetimin live të procesit. Gjykata miratoi vetëm kërkesën për aksesimin e provave digjitale, ndërsa shqyrtimi i çështjes do të vijojë në seancën e ardhshme të caktuar më 18 qershor.

Top Channel