Ushqimi i kontaminuar shkakton 1.5 milion vdekje në vit, fëmijët nën pesë vjeç janë viktimat më të mëdha

04/06/2026 09:31

Ushqimi i pashëndetshëm, i kontaminuar me baktere, viruse, parazitë ose kimikate të dëmshme, vlerësohet se shkakton rreth 1.5 milion vdekje çdo vit në mbarë botën, duke prekur veçanërisht fëmijët nën moshën pesë vjeç, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Siguria ushqimore nuk është një çështje abstrakte: ajo ka të bëjë me çdo vakt, çdo familje, çdo ditë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një mesazh përpara Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore, që shënohet më 7 qershor.

Sipas analizës së fundit të OBSH-së, e cila ka vlerësuar 42 rreziqe të lidhura me ushqimin në 194 vende gjatë periudhës 2000–2021, rreth 866 milionë persona sëmuren çdo vit si pasojë e konsumit të ushqimit të pasigurt, ndërsa rreth 1.5 milionë prej tyre humbin jetën.

Fëmijët e vegjël janë grupi më i rrezikuar. OBSH thekson se probabiliteti që fëmijët nën pesë vjeç të preken nga sëmundje të shkaktuara nga ushqimi i kontaminuar është pothuajse tre herë më i lartë se tek të rriturit.

Edhe pse barra globale e sëmundjeve nga ushqimi i pasigurt është ulur që nga viti 2000, pabarazitë mbeten të theksuara. Afrika dhe Azia Juglindore janë rajonet më të prekura, duke përbërë rreth tre të katërtat e rasteve dhe rreth 60% të vdekjeve globale.

Sipas OBSH-së, shumica e sëmundjeve shkaktohen nga ekspozimi ndaj rreziqeve biologjike, si bakteret, viruset dhe parazitët, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e vdekjeve lidhet me substanca kimike të rrezikshme në ushqim. Arseniku inorganik dhe plumbi janë ndër faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.

Ekspertët e organizatës paralajmërojnë se situata po përkeqësohet edhe për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së rezistencës antimikrobike, që i bën infeksionet më të vështira për t’u trajtuar.

“Të dhënat tregojnë se sëmundjet nga ushqimi i pasigurt jo vetëm që vazhdojnë, por po përkeqësohen”, tha eksperti i OBSH-së për sigurinë ushqimore, Yuki Minato.

Përveç pasojave shëndetësore, OBSH vlerëson se këto sëmundje shkaktojnë edhe humbje të mëdha ekonomike, të cilat arrijnë në rreth 647 miliardë dollarë në produktivitet çdo vit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së theksoi se këto të dhëna tregojnë përmasën reale të problemit dhe nevojën për masa urgjente në sigurinë ushqimore në nivel global.

Top Channel