“SHBA nuk largohet nga NATO”, Rubio: Do të qëndrojmë, por duam reforma

04/06/2026 16:03

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të mbeten anëtare të NATO-s, por aleanca duhet të reformohet.

Këtë pohim, Marco Rubio e bëri përpara Komitetit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington, ku sekretari i shtetit theksoi  se Presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s muajin e ardhshëm në Turqi, ku do të paraqesë kërkesat e SHBA-së për ndryshime dhe do të bëjë thirrje që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.

Samiti është caktuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.

“Ne jemi ende anëtarë të NATO-s, por aleanca ka nevojë për ndryshime të thella, dhe Presidenti e ka bërë këtë të qartë”, u shpreh rubio.

Kreu i DASH shtoi  se Trump është veçanërisht i shqetësuar se disa vende, përfshirë Spanjën, nuk kanë lejuar përdorimin e bazave ajrore për luftën e SHBA-së kundër Iranit. Rubio u pyet gjithashtu për kërkesën e Trump-it lidhur me Groenlandën.

Ai u shpreh se Groenlanda mbetet për momentin pjesë e Danimarkës dhe diskutimet mbi përdorimin e saj për qëllime të mbrojtjes kolektive janë ende në zhvillim. Kryediplomati amerikan nuk dha detaje të tjera, por u shpreh vetëm se “do të kemi disa lajme shumë të mira.”

Top Channel