Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se nuk kanë zbatuar marrëveshjet e arritura gjatë samitit të zhvilluar në Alaska në gusht të vitit 2025 mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Në një intervistë për RT Arabic, të cituar nga agjencia ruse Tass, Lavrov deklaroi se gjatë takimit ishte arritur një mirëkuptim i qartë për nisjen e një procesi diplomatik që do të mund të çonte drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Një marrëveshje shumë e qartë u arrit në Alaska bazuar në një propozim specifik nga Shtetet e Bashkuara. Nëse SHBA do ta kishte promovuar realisht këtë iniciativë, do të ishim ulur në tryezën e negociatave shumë kohë më parë dhe armiqësitë do të kishin pushuar”, u shpreh Lavrov.
Sipas kreut të diplomacisë ruse, moszbatimi i kësaj nisme nga Uashingtoni ka penguar nisjen e negociatave konkrete për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Ai e cilësoi sjelljen e SHBA-së si “të paqëndrueshme” dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se Rusia mbetet e gatshme për dialog.
“Rusia është e gatshme të negociojë për Ukrainën, por nuk shohim të njëjtën gatishmëri nga pala tjetër. Nuk mund të gjejmë bashkëbisedues me të cilët mund të flasim”, deklaroi Lavrov.
Ndërkohë, këshilltari presidencial rus për investimet e huaja, Kirill Dmitriev, njoftoi zhvillime të reja lidhur me projektin ambicioz për ndërtimin e një tuneli që do të lidhte Rusinë me Shtetet e Bashkuara përmes Ngushticës së Beringut.
Duke folur në margjinat e Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut, Dmitriev tha se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për vazhdimin e projektimit të tunelit.
Në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë vijon të dominojë axhendën ndërkombëtare. Sipas raportimeve, Kievi i ka kërkuar Gjermanisë furnizimin me raketa shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me synimin për të forcuar mbrojtjen kundër sulmeve ruse. Burime të cituara nga Bloomberg bëjnë të ditur se qeveria gjermane po shqyrton kërkesën, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Top Channel