Negociatat për ndalimin e përplasjeve në Liban: Po të mos ekzistonte Hezbollahu, Tel Avivi dhe Beiruti do bënin marrëveshje që nesër

02/06/2026 22:21

Izraeli dhe Libani mund të arrijnë një marrëveshje paqeje “që nesër” nëse Hezbollahu nuk do të ishte pengesë, tha sot Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ndërsa të dy vendet fillojnë raundin e katërt të bisedimeve në Uashington.

“Izraeli dhe Libani mund të arrijnë një marrëveshje paqeje që nesër. Izraeli nuk ka pretendime territoriale në Liban. Hezbollahu është pengesa e vetme”, tha Rubio kur u pyet për këtë çështje në seancën dëgjimore të Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kreu i diplomacisë amerikane përsëriti se “pa Iranin, nuk do të kishte Hezbollah”, duke nënvizuar se SHBA-të, të cilat kanë marrë rolin e ndërmjetësit, këmbëngulin në ndarjen e negociatave izraelito-libaneze nga ato me Iranin, diçka që Teherani e refuzon.

Ambasadorët e Izraelit dhe Libanit u pritën sot në Departamentin e Shtetit për një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta, të planifikuara të zgjasin dy ditë.

Trump njoftoi të hënën në mbrëmje se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte zotuar të mos dërgonte trupa në Bejrut, dhe Hezbollahu, nga ana e tij, premtoi një armëpushim të plotë. Rubio tha se angazhimi i Hezbollahut iu përcoll Uashingtonit “nga autoritetet libaneze”.

Përleshjet midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut vazhduan, pavarësisht një armëpushimi të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur një herë.

Sulmet izraelite të hënën në mbrëmje vranë të paktën gjashtë persona në Libanin jugor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në një ditë të vetme në 13.

Sot, Hezbollahu mori përgjegjësinë për hedhjen e një rakete në një tank izraelit në Hadatha, duke thënë se po luftonte “kundër përparimit të forcave izraelite”.

Top Channel