Misteri i vdekjeve të shkencëtarëve në SHBA vazhdon, një punonjëse laboratori u gjet e vdekur një vit pas zhdukjes së saj
Shtetet e Bashkuara po diskutojnë mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në më shumë vende evropiane të NATO-s, raporton Financial Times.
Sipas gazetës britanike, zyrtarë amerikanë kanë sinjalizuar se Uashingtoni është i hapur për zgjerimin e pranisë së armëve të tilla përtej gjashtë vendeve që aktualisht strehojnë bombardues strategjikë të aftë për të mbajtur armë bërthamore. Informacioni bazohet në deklaratat e tre personave të njohur me diskutimet.
Një zhvillim i tillë do të nënkuptonte që më shumë shtete europiane të mirëpresin avionët amerikanë me kapacitet të dyfishtë (DCA), të cilët mund të mbajnë si armë konvencionale ashtu edhe armë bërthamore. Megjithatë, raporti thekson se një marrëveshje konkrete nuk pritet në një të ardhme të afërt.
Sipas Financial Times, vendet e krahut lindor të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe disa shtete baltike, kanë shprehur interes për të pritur baza të tilla, ndërsa bisedimet po zhvillohen në kuadër të strukturave të Aleancës.
Deri më tani, as Shtëpia e Bardhë, as Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe as NATO nuk kanë dhënë një koment zyrtar lidhur me këto raportime. Reuters, nga ana tjetër, thekson se nuk ka mundur të verifikojë informacionin në mënyrë të pavarur.
Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, ka deklaruar më herët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të garantojnë mbrojtjen bërthamore për vendet anëtare të NATO-s, ndërsa aleatëve evropianë u kërkohet të marrin një rol më të madh në mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Diskutimet vijnë në një kohë tensionesh të rritura në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, duke rikthyer në fokus çështjen e strategjisë së parandalimit bërthamor të NATO-s në Evropë.
Top Channel