Incidenti i dhunshëm në Zvërnec, Gjykata e Vlorës lë në burg Geraldo Bibën
Kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalë të gjatë në lidhje me gjithë zhvillimet për projektin e Zvërnecit dhe protestat kundër tij. Mes të tjerash Rama nënvizon propagandën e mediave greke, sipas tij.
“Partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro. Jo si ndërtues, që ndërtojnë, shesin dhe ikin, si ata që kanë ndërtuar edhe pallate në Tiranë dhe pastaj ia kanë lënë banorëve që s’marrin dot hipotekën, po si pronarë të terrenit, të cilin e kanë blerë me para të mbikëqyrura në mënyrë strikte nga Agjencia jonë Kundër Pastrimit të Parave dhe nga partnerët ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me atë agjenci.
Një për një, euro për euro, me bankë dhe jo nga Izraeli, që mund të ishte fare mirë dhe nga Izraeli, por nga Katari, që nuk besoj se mund të konsiderohet, nga ata që i thonë vetes myslimanë po vetëm myslimanë nuk janë, vetëm Allah dhe Kuran nuk kanë, sepse bëjnë përditë krimin e ndaluar nga Kurani për të helmuar njerëzit me shpifje.
Po si mund të jem unë njëherë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten, si ndodh kjo? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet ‘’tradhtari’’, u gjet ‘’shitësi’’ i atdheut, u gjet ‘’i korruptuari’’ dhe ai është kryeministri juaj”, tha Rama mes të tjerash.
Top Channel