Franca dhe partnerët ndalojnë një tjetër anije ruse të naftës në Atlantik
Tensionet rreth politikave të emigracionit të administratës së Donald Trump janë përshkallëzuar në Newark, ku autoritetet lokale kanë vendosur shtetrrethim gjatë natës pranë një qendre ndalimi për emigrantët pas disa ditësh protestash dhe përleshjesh me policinë.
Kryebashkiaku i Newarkut, Ras Baraka, njoftoi se hyrja në zonën përreth qendrës së ndalimit Delaney Hall do të kufizohet deri në njoftim të mëtejshëm. Shtetrrethimi do të jetë në fuqi nga ora 21:00 deri në 06:00 brenda një rrezeje prej 800 metrash nga objekti.
“SITUATA po përkeqësohet. Disa persona janë arrestuar dhe janë konstatuar me armë, çka tregon seriozitetin e kërcënimit”, deklaroi Baraka, duke justifikuar vendimin për masat e reja të sigurisë.

Qendra Delaney Hall, e cila menaxhohet nga Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE), është kthyer në epiqendrën e protestave kundër politikave amerikane të emigracionit. Objekti ka kapacitet për rreth 1,000 persona dhe prej ditësh është rrethuar nga demonstrues që kundërshtojnë kushtet e ndalimit dhe deportimet.

Mbrëmjen e fundit u raportuan incidente të reja jashtë qendrës, ndërsa protestuesit u përplasën me forcat e rendit. Të shtunën, pas një demonstrate fillimisht paqësore, disa protestues tentuan të thyenin kordonin policor, duke detyruar policinë të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Përballë situatës, guvernatorja demokrate e New Jersey, Mikie Sherrill, dënoi dhunën dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rendin publik.

“Nuk e di pse këta individë po kryejnë këto veprime, por nuk do të lejoj që akte të tilla të rrezikshme të minojnë sigurinë publike në New Jersey”, u shpreh ajo.
Autoritetet kishin tentuar më herët të ulnin tensionet duke transferuar përgjegjësinë e sigurisë nga ICE tek policia shtetërore dhe duke krijuar zona të posaçme për protesta, por masat nuk arritën të parandalonin përplasjet.
Protestat nisën pasi qindra emigrantë të ndaluar në Delaney Hall filluan një grevë urie dhe një grevë pune për të protestuar kundër kushteve të jetesës brenda qendrës. Në një letër të publikuar nga organizata për të drejtat e emigrantëve Cosecha, rreth 300 të ndaluar pretendojnë se mbahen pa arsye të mjaftueshme ligjore, se nuk marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se përballen me cilësi të dobët ushqimi.
Lëvizja e tyre ka marrë mbështetjen e disa politikanëve demokratë dhe organizatave për të drejtat e emigrantëve, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten mes autoriteteve dhe protestuesve në një nga debatet më të nxehta politike në Shtetet e Bashkuara.
Top Channel