Përshkallëzohen tensionet SHBA-Iran, Kuvajti në alarm pas sulmeve me raketa dhe dronë

01/06/2026 07:19

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen, ndërsa përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje duket se po hasin vështirësi.

Gjatë fundjavës, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kryen “sulme vetëmbrojtjeje” kundër radarëve iranianë dhe pikave të komandës dhe kontrollit të dronëve në zonat Goruk dhe në ishullin Kesm. Sipas CENTCOM, operacionet ishin “të matura dhe të qëllimshme” dhe erdhën si përgjigje ndaj veprimeve agresive të Iranit, përfshirë rrëzimin e një droni amerikan MQ-1 që, sipas Uashingtonit, po operonte mbi ujërat ndërkombëtare.

Autoritetet amerikane thanë se një avion luftarak neutralizoi sisteme të mbrojtjes ajrore, një stacion kontrolli tokësor dhe dy pika kontrolli të dronëve.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane, lëshoi një raketë balistike kundër një baze amerikane nga e cila, sipas saj, ishin nisur operacionet ajrore. Teherani nuk specifikoi vendndodhjen e bazës apo shtetin ku ajo ndodhet.

Irani paralajmëroi gjithashtu se nëse sulmet amerikane vazhdojnë, reagimi i tij i ardhshëm do të jetë “krejtësisht ndryshe”.

Ndërkohë, herët në mëngjesin e së hënës, Kuvajti aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore pasi raportoi sulme me raketa dhe dronë. Sirenat e alarmit u dëgjuan në disa zona të vendit, ndërsa mediat shtetërore njoftuan se kërcënimet ajrore u përgjuan, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi origjinën e tyre apo numrin e objektivave të neutralizuar.

Ky është sulmi i dytë ndaj Kuvajtit brenda më pak se një jave. Të enjten e kaluar, autoritetet kuvajtiane raportuan një incident të ngjashëm, të cilin më vonë ia atribuuan Iranit. Garda Revolucionare kishte deklaruar se objektivi ishte një bazë amerikane, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e reja ajrore amerikane në territorin iranian.

Zhvillimet e fundit rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon, në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe rikthim në dialog.

Top Channel