“Ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023”, Rama: Projektin e parë ua kemi kthyer mbrapsht, për Sazanin po negociojmë ende
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u taku me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Në një postim në X ministri theksoi se u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:
Pata kënaqësinë e një takimi të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e #PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale politike në #Kosovë dhe sfidat e periudhës në vijim.
Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin.
E sigurova për mbështetjen e palëkundur të #Shqipërisë ndaj #Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Diskutuam gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të #dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve.
U kushtuam vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e #UÇK-së. Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor.
Në një tjetër postim ministri njoftoi edhe takim me kryetarin e AAK, Ardian Gjini, ku shprehu edhe përgëzimet e tij për marrjen e drejtimit të partisë së udhëhequr që nga themelimi i saj nga Ramush Haradinaj.
Postimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha në X:
Në selinë e #Aleancës, pata kënaqësinë të takoj dhe përgëzoj Kryetarin Ardian Gjini, për marrjen e drejtimit të kësaj force politike në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në Kosovë.
Njëkohësisht, shpreha vlerësimin tim për kontributin e çmuar të ish-kryetarit, Ramush Haradinaj, si në drejtimin e Aleancës ndër vite ashtu edhe në avancimin e agjendës shtetërore të #Kosovës, veçanërisht në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për rrugëtimin e saj euroatlantik.
Diskutuam mbi rëndësinë e krijimit sa më parë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve dhe rolin konstruktiv që Aleanca mund të luajë në ndërtimin e konsensusit politik, veçanërisht në funksion të proceseve të rëndësishme institucionale që e presin vendin, përfshirë zgjedhjen e Presidentit.
Theksova rëndësinë e #dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, konsolidimit të paqes së qëndrueshme dhe përparimit në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Riafirmova mbështetjen e palëkundur të #Shqipërisë për Kosovën, në çdo kohë dhe në çdo aspekt, si për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe zhvillimit të saj, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të Kosovës si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Top Channel