Socialisti Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend ka kërkuar që të pranishëm në seancë duhet të jenë edhe ministrat, që deputetët të kenë mundësinë t’i shprehin shqetësimet e tyre kur kthehen nga ‘Java e Gjelbërt’.
“Unë jam fajtori gjithmonë, s’ka asnjë problem. Tani, me thënë të drejtën, këto seanca janë bërë që të gjithë deputetët që vijnë këtu nga Java e Ghelbërt dhe ngrenë shqetësimet e tyre në prani të ministrave. Pa praninë e tyre, më duket sikur do të flasim me veten.
Unë e kërkoj shumë ministrin e Bujqësisë, por nuk e gjej. Cili është shqetësimi? Të hënën e kaluar, unë dhe disa bujq, i çuam shkresë zyrtare nga Kuvendi në drejtim të drejtorisë së AKU-së, sollëm në vëmendje faktin që prej muajsh në treg po shitet ure me përqindje azoti shumë më të ulët se ajo e lejuara. Është një fertilizant i domosdoshëm për drithërat.
Nuk kam marrë asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë. Këto dua t’i them edhe ministrit edhe drejtuesit të AKU-së”,u shpreh deputeti Braçe.
Top Channel