Ish-administratori i Pacollit nxjerr mesazhet dhe denoncon biznesmenin: E vërteta e aksioneve në Aeroportin e Vlorës

01/06/2026 18:20

Ish-administratori Valon Lluka ka reaguar për ngërçin në Aeroportin e Vlorës, duke denoncuar biznesmenin Behgjet Pacolli.

Ai ka renditur të gjitha dokumentet, ku sipas tij tregohet e vërteta e aksioneve në Aeroportin e Vlorës.

“Letër publike për të vërtetën rreth procesit të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Për shumë muaj kam zgjedhur të hesht.

Kam dëgjuar akuza, deklarata, intervista dhe sulme personale. Kam heshtur sepse kam besuar se e vërteta mbrohet në institucione dhe në dokumente, jo në zhurmë publike. Kam heshtur edhe nga respekti për një raport profesional shumëvjeçar me Behgjet Pacollin, duke mos dashur që një histori që nisi me besim të përfundonte në debat publik.

Kjo letër lidhet me pretendimet dhe akuzat publike të bëra muajve të fundit lidhur me procesin e shitblerjes së aksioneve në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), ku emri im është përmendur drejtpërdrejt.

Kam heshtur edhe sepse kam pritur që organet e drejtësisë, prokuroria dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë.

Por kur mohohen dokumente që mbajnë firmat e Behgjet Pacollit dhe Emin Pacollit, kur mohohen vendime të nënshkruara dhe autorizime të lëshuara prej tyre, dhe kur hidhen akuza ndaj njerëzve që vetëm kanë zbatuar mandatet dhe autorizimet e marra, heshtja nuk është më përgjegjësi.

Prandaj po flas.

Me dokumente. Jo me emocione.

Në maj të vitit 2022, Mabco Construction SA miratoi zyrtarisht shitjen e aksioneve të VIA-s dhe më autorizoi mua për realizimin e procesit. Vendimi dhe autorizimi u nënshkruan, u noterizuan dhe u apostiluan në Zvicër.

Në korrik të vitit 2023, u mor një vendim tjetër për 47% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në të njëjtën ditë u lëshua edhe prokurë e posaçme që më autorizonte të nënshkruaja dokumentet dhe të kryeja regjistrimet e nevojshme ligjore.

Është me rëndësi të kuptohet një fakt shumë i thjeshtë: një kontratë shitblerjeje aksionesh nuk mund të nënshkruhet pa vendim të aksionarëve dhe pa autorizim formal të dhënë nga vetë kompania. Këto nuk janë procedura që mund të kryhen mbi bazë iniciative personale apo pa dijeninë e palëve përgjegjëse.

Vendimet dhe autorizimet, siç shihet edhe nga emailat e bashkëngjitur, më janë përcjellë që nga viti 2022 drejtpërdrejt nga vetë administrata e Mabco në Lugano, përmes komunikimeve zyrtare të kompanisë.

Përtej dokumenteve zyrtare, ka ekzistuar edhe komunikim i drejtpërdrejtë lidhur me zbatimin e procesit dhe dakordimet përkatëse. Në raste konkrete, kam kërkuar konfirmime të drejtpërdrejta për hapat që duhej të ndërmerreshin dhe kam vepruar vetëm pas konfirmimeve të marra.

Këto procese nuk janë zhvilluar në mënyrë individuale apo të fshehtë.

Dokumentet janë përgatitur, përcjellë dhe ndjekur ndër vite përmes administratës, juristëve, stafit të përfshirë në komunikime zyrtare, emaila dhe procedura institucionale të kompanisë.

Dhe këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë:

Nëse vërtet pretendohet se gjithë kjo ka qenë një “skemë” personale e imja, atëherë a po kërkohet nga publiku të besojë se administrata, juristët, menaxhmenti i lartë, bashkëpunëtorët më të afërt dhe madje familjarë të ngushtë të vetë zotit Pacolli nga zyra qendrore, të cilët kanë qenë të përfshirë ndër vite në komunikime, emaila, dokumentacion, noterizime, paskëshin qenë pjesë e së njëjtës gjë pa e ditur?

Apo e vërteta është shumë më e thjeshtë:

Që procesi është zhvilluar mbi bazën e vendimeve, autorizimeve dhe dokumenteve zyrtare të kompanisë.

Unë nuk kam nënshkruar asnjë dokument pa autorizim.

Nuk kam vepruar asnjëherë jashtë mandatit të dhënë.

Kam bërë vetëm atë që dokumentet më kanë autorizuar të bëj.

Kjo është e vërteta.

Dhe e vërteta nuk ndryshon sipas intervistës së radhës apo interesit të momentit.

Ajo mbetet e shkruar në dokumente.

Për më shumë se 18 vite, kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi dhe besnikëri në projektet dhe kompanitë ku kam qenë i angazhuar. Kurrë nuk kam vepruar kundër interesit të kompanisë.

Për transparencë të plotë dhe respekt ndaj opinionit publik, po publikoj vetëm një pjesë të disa dokumenteve dhe komunikimeve zyrtare, ndër shumë të tjera që ekzistojnë, të cilat dëshmojnë qartë natyrën institucionale të procesit, autorizimet përkatëse dhe koordinimin e rregullt të veprimeve të ndërmarra.

Sepse në fund, e vërteta nuk mbrohet nga zhurma, por nga dokumentet”, shkruan Valon Lluka.

Top Channel