Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për çështjen e komisionit për McGonigal, pranohet hetimi parlamentar për zgjedhjet e 2025-ës

01/06/2026 17:26

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për çështjen e komisionit hetimor për McGonigal, siç raporton Anila Hoxha.

Ky komision u kërkua nga PD por, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi.

Ndërkohë, Gjykata ka pranuar komisionin hetimor për zgjedhjet.

VENDIMET:

Gjykata Kushtetuese, në datën 05.05.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup prej 38 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (më shumë se një e katërta e deputetëve), me objekt: “1. Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: (i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”; (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”. 2. Deklarimin e vendimit nr. 77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 3. Deklarimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 01.06.2026, pasi shqyrtoi pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, konstatoi se:

  1. Kërkuesi legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues. Kërkesa është paraqitur nga i njëjti grup deputetësh që ka kërkuar edhe ngritjen e dy komisioneve hetimore. Numri i deputetëve plotëson pragun kushtetues prej një të katërtës së numrit të deputetëve të Kuvendit sipas nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, që kanë kompetencën për të detyruar Kuvendin në ngritjen e komisionit hetimor. Kërkesa është paraqitur në Gjykatë në datën 12.11.2025, pra brenda 6 muajve nga çasti i lindjes së konfliktit, më 30.10.2025, kur Kuvendi vendosi mosmiratimin e ngritjes së dy komisioneve hetimore në seancë plenare.
  2. Në lidhje me themelin e pretendimeve, që lidhej me cenimin e të drejtës së deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor, Gjykata vlerësoi:
  3. me shumicë votash, ndonëse me linja të ndryshme arsyetimi, se kërkimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave të krijuar nga vendimi nr. 77/2025 i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal”” dhe shfuqizimin e këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk duhet pranuar, pasi nuk plotëson kriteret kushtetuese për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të vlerësuar kriterin kushtetues “çështje e veçantë” të lidhur edhe me ekzistencën e indicieve të qarta, për shkak të qasjeve të ndryshme në arsyetim, sipas të cilave ky komision nuk duhej ngritur për shkaqe që lidheshin me indiciet apo parimin e ndarjes së pushteteve. Për rrjedhojë, ky kërkim bazuar në nenin 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës konsiderohet i rrëzuar;
  4. njëzëri, ndonëse me linja të ndryshme arsyetimi, se kërkimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave të krijuar nga vendimi nr. 78/2025 i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si dhe shfuqizimin e këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duhet pranuar, pasi plotëson njëkohësisht kriteret kushtetuese të ngritjes së komisionit hetimor sipas nenit 77, pika 2, të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese.

Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77 dhe 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

  1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
  2. Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
  3. Shfuqizimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
  4. Rrëzimin e kërkimeve të tjera.

 

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel