Raste të tjera të dyshuara me Ebola në Brazil, izolohen dy burra nga Kongo dhe Uganda

31/05/2026 20:17

Dy burra me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda, të cilët kanë shfaqur simptoma të ngjashme me ato të virusit Ebola, po trajtohen në izolim në Brazil, njoftuan autoritetet shëndetësore lokale.

Autoritetet në shtetin e São Paulos bënë të ditur se një 37-vjeçar nga Republika Demokratike e Kongos paraqet simptoma si ethe, çka e klasifikon atë si një rast të dyshuar me Ebola. Ai është vendosur në izolim në një spital të specializuar për sëmundjet infektive, ndërsa analizat laboratorike për konfirmimin e diagnozës janë ende në proces.

Ndërkohë, në Rio de Janeiro, Sekretariati Shtetëror i Shëndetësisë njoftoi se një shtetas ugandas, i cili mbërriti në Brazil më 22 maj, është vendosur në karantinë pasi shfaqi simptoma si kollë, të dridhura dhe diarre. Sipas autoriteteve lokale, pacienti vuan nga malaria, por rasti i tij vijon të mbetet nën hetim.

Megjithatë, autoritetet braziliane theksojnë se rreziku i përhapjes së Ebolës në Brazil dhe në Amerikën e Jugut mbetet shumë i ulët.

Republika Demokratike e Kongos është përballur me një shpërthim të ri të Ebolës që prej 15 majit. Virusi, i cili shkakton ethe hemorragjike dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie, është identifikuar në disa provinca të vendit, si edhe në Ugandën fqinje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), të dy vendet kanë regjistruar 263 raste të konfirmuara dhe 43 vdekje të konfirmuara, ndërsa më shumë se 1.100 raste të dyshuara mbeten nën hetim.

Autoritetet shëndetësore po vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa analizat për dy rastet e dyshuara në Brazil pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për infektime me virusin Ebola.

Top Channel