“PD ka nevojë për riorganizim”, Berisha në Kuvendin Kombëtar: Të rinjtë janë gjëja më e çmuar, njohim defektet dhe problemet tona

30/05/2026 13:45

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha pranoi se partia ka nevojë për ripërtëritje dhe theksoi edhe vëmendjen që do të marrin të rinjtë dhe gratë e vajzat.

“E patë çfarë tha avatari? ‘Skënderbeu avatar’ thotë se unë kushtova 100 euro, Diella 4 milionë. Ne do të përdorin teknologjinë për transparencën më maksimale. Teknologjinë do ta përdorim për transparencë maksimale dhe për t’i dhënë fund ikjes së të rinjve nga Shqipëria.

PD për tu ripërtërirë ka nevojë për një riorganizim të plotë. Instituti Amerikan ka përgatitur një platformë të detajuar për ripërtëritjen dhe ne do ta respektojmë deri në detaj. Në këtë ripërtëritje ne do të bëjmë çdo gjë, të hapim partinë në të gjitha nivelet, duke njohur edhe defektet dhe problemet tona. Duhet ridemsionojmë menjëherë rolin e të rinjve dhe grave në parti.

Të rinjtë janë gjëja më e çmuar e PD. Gratë janë shumica, jo vetëm numerike, por edhe intelektuale e kombit sot. Është një potencial i jashtëzakonshëm për tu vënë në shërbim të shoqërisë. Kilometri i fundit nuk është i lehtë. Në maratonë, të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit. PD ka qenë lokomotivë e proceseve integruese dhe prapë jemi.

Raportet e IBAR dhe Parlamentit Europian ngritën edhe çështje që i kemi denoncuar dhe ngritur ne. Ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai është ylli polar i yni. Ky integrim duhet të bazohet para së gjithash në meritë. Nga vendet që kërkojnë integrim nuk kërkohen ligje dhe kërkesa që cënojnë qytetarët”, tha Berisha.

Top Channel