Lufta me Iranin, Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Mund t’i rinisim operacionet ushtarake, ata nuk duhet të kenë armë bërthamore

30/05/2026 08:13

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “më se të afta” për të rifilluar operacionet ushtarake kundër Iranit, nëse situata e kërkon një gjë të tillë.

Duke folur në forumin e sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapore, Hegseth theksoi se Uashingtoni mbetet i vendosur të parandalojë Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“SHBA është e angazhuar për të penguar Iranin që të pajiset me një armë bërthamore”, deklaroi ai, ndërsa negociatat për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin vijojnë mes pasigurive për rezultatin përfundimtar.

Shefi i Pentagonit nënvizoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar çështjen e programit bërthamor iranian si një nga prioritetet kryesore të sigurisë globale.

“Kemi ende detyrime globale për të garantuar që, për shembull, Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, tha Hegseth.

Top Channel