Kryeministri libanez dënon veprimet ushtarake të Izraelit: Sulme të paprecedenta, të rinisim sa më shpejt negociatat

30/05/2026 22:17

Kryeministri libanez Nawaf Salam dënoi sot “përshkallëzimin e rrezikshëm dhe të pashembullt” nga Izraeli, ushtria e të cilit po përparon në jug dhe po nis sulme masive, dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në një fjalim televiziv drejtuar libanezëve, Salam mbrojti vendimin e autoriteteve për të hapur negociatat me Izraelin – të cilat kundërshtohen nga Hezbollahu pro-iranian – duke thënë se kjo ishte “rruga më pak e kushtueshme” për Libanin.

“Në dritën e përshkallëzimit të rrezikshëm dhe të pashembullt izraelit të ditëve të fundit, është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet politike dhe diplomatike për të arritur një armëpushim të shpejtë dhe të vërtetë”, tha kryeministri.

Salam akuzoi Izraelin se po ndjek një politikë të “tokës së djegur dhe ndëshkimit kolektiv”, të “shkatërrimit të qyteteve dhe fshatrave dhe detyrimit të banorëve të tyre të largohen”, duke theksuar se kjo “nuk do të sjellë as siguri dhe as stabilitet”.

Duke iu referuar negociatave që filluan në prill, ai vlerësoi se rezultatet “nuk janë të garantuara”, por se kjo është “rruga më pak e kushtueshme për vendin dhe popullin tonë”.

Delegacionet ushtarake nga të dy vendet u takuan të premten në Uashington për t’u përgatitur për një raund të ri bisedimesh më 2 dhe 3 qershor. Ky do të jetë raundi i katërt i negociatave që nga shpërthimi i luftës më 2 mars.

Deklarata e lëshuar nga SHBA-të pas takimit nuk përmendi asnjë armëpushim. Ditët e fundit, ushtria izraelite ka intensifikuar operacionet e saj tokësore dhe ajrore në Liban, ku thotë se objektivi i saj është Hezbollahu, të cilin dëshiron ta çarmatosë.

Top Channel