Droni në Rumani, NATO “rrëzon” Putinin: Ishte me origjinë ruse

30/05/2026 16:02

NATO konfirmon se droni që u rrëzua në Rumani ishte “me origjinë ruse”. Lajmin e përcjell Reuters, që citon zëdhënës të aleancës, për të rrëzuar pretendimet e Vladimir Putin se mjeti fluturues mund të mos ishte fare rus.

Më herët, shefi i Kremlinit tha se vendi i tij është i gatshëm të zhvillojë një hetim objektiv nëse do t’i dorëzohen mbetjet e mjetit fluturues. Putin, i cituar nga agjencia Tass, kujton se në të kaluarën dronë ukrainas kanë hyrë në vende të ndryshme. Reagimi i tyre i parë ka qenë gjithmonë: Këta janë dronë rusë. Por askush nuk mund të përcaktojë kujt i përket droni pa një analizë teknike të mbetjeve nga ekspertët, u shpreh ai.

Sipas Kremlinit, mund të ketë qenë një dron ukrainas që ka devijuar nga trajektorja për shkak të ndërhyrjeve elektronike ose gabimeve në të dhënat e navigimit. Rumania e shpalli konsullin e përgjithshëm rus në Bukuresht “persona non grata” pas rrëzimit të dronit në një ndërtesë banimi në Galac, qytet rumun pranë kufirit me Ukrainën.

Reagimi i Moskës erdhi menjëherë dhe tingëlloi si një kërcënim: “Përgjigjja nuk do të vonojë”. Nga përplasja shpërtheu një zjarr dhe dy persona mbetën të plagosur lehtë. Qeveria rumune e cilësoi incidentin si “një përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm”. Rumania, anëtare e NATO-s, informoi menjëherë sekretarin e përgjithshëm të Aleancës për ngjarjen.

Ndërkohë, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi: “Qytetarë të vendeve të BE-së, dijeni se autoritetet tuaja kanë hyrë në mënyrë të njëanshme në luftë kundër Rusisë. Prandaj jini vigjilentë dhe mos u habisni nga asgjë. Koha e gjumit të qetë ka mbaruar.”

Top Channel