“Do ta fitojmë betejën për Shqipërinë”, deputeti Balliu në Kuvendin Kombëtar: Institucionet janë kapur, por protesta mbetet e lirë

30/05/2026 18:45

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Klevis Balliu theksoi se Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve dhe përqendrimin e pushtetit.

Balliu u shpreh se sot në Shqipëri institucionet që duhet të garantojnë lirinë, demokracinë dhe kontrollin ndaj pushtetit janë vënë nën ndikimin e qeverisë, ndërsa i vetmi institucion që mbetet i pakapur është ai i protestës dhe reagimit qytetar.

Sipas tij, kjo e bën Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike një moment me rëndësi jetike për bashkimin e demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshim në përballjen me atë që ai e cilësoi si narkoshteti i Edi Ramës.

Duke u ndalur te situata ekonomike, Balliu deklaroi se lidhjet e krimit me pushtetin dhe pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit kanë prodhuar një fenomen të ri social, të cilin ai e quajti “brezi pa shtëpi”. Sipas tij, mijëra të rinj shqiptarë nuk kanë më mundësi të blejnë një banesë në vendin e tyre për shkak të rritjes artificiale të çmimeve dhe deformimit të tregut nga paratë e krimit.

“Për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, sot është krijuar brezi pa shtëpi. Të rinjtë shqiptarë po përjashtohen nga mundësia për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e tyre”, u shpreh Balliu.

Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë betejën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpopullimit të vendit, duke shprehur bindjen se opozita do të arrijë të fitojë këtë përballje për të mbrojtur familjen shqiptare, demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

“Ne do ta fitojmë këtë betejë. Do ta fitojmë për familjen shqiptare, për të rinjtë tanë dhe për Shqipërinë”, përfundoi Balliu.

Top Channel