Një dron fluturon pranë zonës së operimit në Aeroportin e Mynihut, pezullohen përkohësisht fluturimet
Sociologu dhe filozofi francez Edgar Morin, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit bashkëkohor, ka ndërruar në moshën 104-vjeçare.
Autor i një prej veprave më të pasura në sociologji, filozofi dhe antropologji, Morin la pas një trashëgimi intelektuale që ndikoi breza të tërë studiuesish në mbarë botën. Ai njihej për teorinë e tij të “kompleksitetit”, me të cilën sfidoi ndarjet tradicionale mes disiplinave dhe mbrojti një qasje multidisiplinare ndaj dijes.
I lindur në Paris më 8 korrik 1921 me emrin Edgar Nahoum, ai mori pseudonimin Morin gjatë angazhimit në Rezistencën franceze kundër pushtimit nazist. I rritur në një familje hebreje të sekularizuar, fillimisht iu afrua ideve marksiste dhe më pas u bë pjesë e Partisë Komuniste Franceze.
Megjithatë, mendimi i tij kritik e largoi shpejt nga dogmat e stalinizmit. Ai u distancua nga partia në fund të viteve 1940 dhe u përjashtua në vitin 1951. Më vonë ai analizoi këtë përvojë në librin “Autokritika”, ndërsa reflektimet e tij mbi totalitarizmin komunist i zhvilloi në disa vepra të tjera të njohura.
Gjatë viteve 1950 dhe 1960, Morin u përqendrua në studimin e kulturës masive, veçanërisht të kinemasë, ndërsa kundërshtoi hapur luftën koloniale franceze në Algjeri. Në të njëjtën kohë udhëtoi gjerësisht në Amerikë, ku studioi kulturat indigjene dhe shoqëritë e përziera etnikisht.
Një kthesë vendimtare në formimin e tij intelektual erdhi në vitin 1969, gjatë qëndrimit në Salk Institute for Biological Studies në Kaliforni. Kontakti me zhvillimet më të avancuara të gjenetikës e frymëzoi të zhvillonte konceptin e tij të njohur të kompleksitetit, të paraqitur fillimisht në veprën “Paradigma e Humbur” dhe më pas në serinë monumentale me gjashtë vëllime “Metoda”.
Sipas Morin, problemet e mëdha filozofike dhe shoqërore nuk mund të kuptohen përmes analizave të kufizuara. Ai argumentonte se njeriu është njëkohësisht racional dhe emocional, i mençur dhe i paarsyeshëm, dhe se çdo përpjekje për ta reduktuar kompleksitetin njerëzor në një dimension të vetëm është e gabuar.
Në dekadat e fundit të jetës, ai i kushtoi vëmendje të veçantë reformimit të arsimit. Përmes librit “Koka e Formuar Mirë”, Morin mbrojti idenë se shkolla duhet t’i ndihmojë të rinjtë të lidhin njohuritë dhe jo thjesht të grumbullojnë informacione të fragmentuara.
Edhe në moshë të thyer, Morin vazhdoi të komentonte zhvillimet globale dhe të paralajmëronte për rreziqet e individualizmit dhe përçarjeve shoqërore. Në një nga mesazhet e tij të fundit publike, ai bënte thirrje për krijimin e “oazeve të rezistencës” të bazuara në vëllazëri, solidaritet dhe humanizëm.
Top Channel