Doktori i shkencave historike në Maqedoninë e Veriut, Skënder Asani, ka ndarë një postim me tone historike dhe diplomatike pas takimit me Luan Belegun, djalin e ish-konsullit shqiptar Xhafer Belegu.
Përmes një rrëfimi të gjatë në rrjetet sociale, Asani e cilëson këtë takim si një rikthim të rrallë në kujtesën historike të një periudhe të rëndësishme për diplomacinë shqiptare.
Në postimin e tij, ai tregon se gjatë bashkëbisedimit janë sjellë në vëmendje dokumente autentike, fotografi familjare dhe materiale arkivore që hedhin dritë mbi ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë shqiptare, ndërsa vlerëson edhe rolin e ambasadorit Denion Meidani në ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie historike.
“Takimi i sotëm me Luan Belegun, të lindur në Manastir gjatë viteve të stuhishme të Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur i ati i tij, Xhafer Belegu, shërbente si konsull i shtetit shqiptar, ishte një kthim i rrallë në kujtesën diplomatike dhe historike të një epoke që ende ruan shumë të pathëna.
Në frymën e një bashkëbisedimi dokumentar, me Luanin hapëm faqe të heshtura të historisë sonë kolektive, duke sjellë në dritë dëshmi të vyera përmes fotografive familjare, dokumenteve autentike dhe materialeve arkivore të hulumtuara ndër vite në arkiva të ndryshme botërore.
Në këtë takim me peshë simbolike, pata kënaqësinë t’i dorëzoj dosjen e hulumtuar pranë Autoritetit të Dosjeve të Komunizmit, si një akt kujtese dhe përgjegjësie ndaj së kaluarës, ndërsa ai, me fisnikërinë e trashëguar të një familjeje me kontribut kombëtar, më dhuroi librin relikt të vitit 1939 të Xhafer Belegut mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një dëshmi e gjallë e mendimit politik dhe kombëtar shqiptar të asaj kohe.
Për ta nxjerrë në pah këtë histori të fjetur dhe për ta shndërruar në pjesë të memories institucionale shqiptare, një rol të çmuar ka luajtur ambasadori Denion Meidani, angazhimi i të cilit po e kthen këtë projekt në një nga sukseset më domethënëse të diplomacisë shqiptare bashkëkohore.
Ky vizion vjen si vazhdimësi e projekteve të tjera me peshë kombëtare e ndërkombëtare që mbajnë gjurmën e veprimit të tij diplomatik, si shpërndarja e Abetares mbarëkombëtare dhe ndërkombëtarizimi i protestave studentore që, me argumente qytetare e historike, sfiduan tendencat për zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke dëshmuar se diplomacia shqiptare mund të jetë njëkohësisht kujtesë, identitet dhe platformë e dinjitetit kombëtar”, shkruan Asani.
Top Channel