“Farsa më e shëmtuar ndonjëherë”/ Takimi me delegacionin e Komisionit të Venecias, Berisha: I tregova për armiqësinë e institucioneve me opozitën

29/05/2026 11:40

Grupi Parlamentar i PD-së, së bashku me liderin e opozitës, Sali Berishën, zhvilluan një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias.

Pas këtij takimi, në një dalje për mediat, Berisha u shpreh se i ka paraqitur situatën e zgjedhjeve të kaluara, duke e konsideruar si një farsë të shëmtuar.

“Iu dha çdo pensionisti 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti. Dhuratë për votë. U falën dy ditë para zgjedhjen, para që do shkonin në buxhet, 2 miliardë e 100 milionë euro, me impakt në 84 mijë biznese aktive. Këto të fundit nuk llogariten, miliarda të rrënjëve të kanabisit. Pabarazia ishte në mijëra, mijëra herë. Për para buxheti flas gjithmonë. Shto këtu mbi 500 milionë prokurime gjatë fushatës elektorale. Farsa ishte më e shëmtuara që kanë parë ndonjëherë. Nuk është vetëm ky problemi.

Problem tjetër themelor është armiqësia e institucioneve ndaj opozitës. Shkalla ekstreme e politizimit të KQZ-së dhe ‘skrapit’ të partisë. Ligji shkelet, por kush nxjerr përgjegjësi. Nga 43 dosje të dërguara e të shqyrtuara, vetëm një penalizim. Të tjerat amnisti nga ‘skrapi’ i partisë. Ne shprehëm mendimin tonë se është e domosdoshme që institucionit të shqyrtimit të ankesave të kenë një lloj pavarësie dhe besnikërie ndaj ligjit. Takimi ishte shumë i mirë. Këta kanë ardhur të marrin mendimet e partive politike”, tha ndër të tjera Berisha.

Top Channel