Bashkohen shqiptarët në Malin e zi, partitë shqiptare po shkojnë drejt një fronti politik të përbashkët të quajtur Forumi shqiptar
Maqedonia e Veriut pritet të finalizojë këtë javë draftin e vendimit që do t’u mundësojë studentëve shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Lajmi u bë i ditur nga Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, i cili tha se po shqyrtohet edhe mundësia që propozimi të dërgohet për opinion në Komisionin e Venecias.
Sipas Salit, drafti përfundimtar mund të miratohet brenda javës dhe më pas do të vendoset nëse modeli i propozuar duhet të kalojë përmes vlerësimit të Komisionit të Venecias.
“Gjatë kësaj jave duhet të miratohet drafti përfundimtar dhe më pas të vendoset nëse do të dërgohet në Komisionin e Venecias. Është krejtësisht e parëndësishme nëse do të nevojitet edhe një muaj shtesë për procedurat, rëndësi ka që zgjidhja të jetë funksionale”, u shpreh ai për TV21.
Studentët shqiptarë protestuan dy herë para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup, duke kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Protestat e tyre u shoqëruan me reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa mbështetje pati edhe nga Shqipëria dhe Kosova.
Edhe në Tiranë u organizua një protestë simbolike nga studentë shqiptarë, të cilët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Me pankarta ku shkruhej “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve” dhe “Jemi bashkë”, protestuesit shprehën solidaritet me studentët shqiptarë në Shkup. Protesta u shoqërua me këngë patriotike dhe thirrje mbështetëse për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sali bëri të ditur se çështja nuk lidhet vetëm me provimin e jurisprudencës, por me një problem më të gjerë që prek dhjetëra provime profesionale në vend.
Sipas tij, institucionet kanë identifikuar më shumë se 40 provime të ndryshme profesionale ku duhet të gjendet një zgjidhje për përdorimin e gjuhës shqipe. Sipas autoriteteve, nuk po përgatitet një ligj i ri, por ndryshime në legjislacionin ekzistues, në mënyrë që zgjidhja të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Top Channel