Fitojnë studentët shqiptarë? RMV po përgatit draftin që provimi i jurisprudencës të kryhet në gjuhën shqipe
Partitë politike shqiptare në Mal të Zi po shkojnë drejt bashkimit zyrtar në një subjekt të vetëm politik, Forumi Shqiptar çka do të përbënte herën e parë që krijohet një grupim i unifikuar politik i shqiptarëve në nivel shtetëror.
Lajmin e përcjell Radio Televizioni i Malit të Zi, i cili citon burime jozyrtare që flasin për një marrëveshje që parashikon bashkimin e Alternativës Shqiptare, Aleancës Demokratike të Shqiptarëve dhe Bashkimit Kombëtar Shqiptar.
Ky hap konsiderohet rezultat i sukseseve të arritura përmes bashkëpunimit politik, duke nisur nga qeverisja e plotë në Tuz, deri te rezultati historik në nivel shtetëror me dy mandate deputetësh dhe dy poste ministrore në Qeverinë e Malit të Zi.
Po ashtu, në raport përmenden edhe vlerësimet pozitive për punën e ministrave dhe përfaqësuesve të Forumit në ekzekutiv. Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se një shtysë të fortë për bashkimin kanë dhënë edhe sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat tregojnë rritje të konsiderueshme të mbështetjes për Forumin edhe në Ulqin, ku kjo forcë politike po afrohet të bëhet subjekti më i fuqishëm shqiptar.
Sipas të njëjtave burime, një nga synimet kryesore të Forumit është marrja e drejtimit të komunës së Ulqinit pas zgjedhjeve të ardhshme. Ndërkaq, thuhet se lider i organizatës së bashkuar pritet të jetë Nik Gjeloshaj, ndërsa rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit kanë luajtur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.
Ekspertët e cilësojnë këtë zhvillim si konsolidimin më të madh politik të faktorit shqiptar në Mal të Zi që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
Top Channel