Inside Story/ Vendimi i sekuestros ndaj Karçanajt, zbulohet roli i ish-numrit 2 të AKSHI-t…

27/05/2026 21:14

Sipas prokurorisë, dyshohet se biznesmeni Ergys Agasi, përmes kompanisë ‘EA Solution’, ka faturuar miliona euro për punë të pakryera ndaj kompanive që fitonin tenderat në AKSHI.

SPAK thotë se ky mekanizëm shërbente për legalizimin e vlerave të përfituara nga Agasi dhe Karçanaj në mënyrë të paligjshme. Por, vetë ish-titullarja e AKSHI-t, në një intervistë në Top Story përballë Grida Dumës, ka dhënë të tjera sqarime rreth raportit me biznesmenin Agasi.

Kjo skemë e rikthimit të parave krijon dyshimin e arsyeshëm, të bazuar në prova, se kemi të bëjmë me një shpërblim të parregullt, ku paratë e taksapaguesve janë rikthyer te personat me lidhje të ngushta me të hetuarën Mirlinda Karçanaj, në cilësinë e titullares së AKSHI-it, si shpërblim për garantimin e fitimit të tenderave.

Në total, shuma e përfituar në formën e korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim nga i hetuari Ergys Agasi, rezulton 1 miliardë e 54 milionë lekë, 470 mijë euro, nga të cilat shuma prej 94 milionë lekësh janë përfituar në formën e pijeve të shtrenjta alkoolike si verë e kuqe, shampanjë etj.

“Agasin e kam njohur kur ka qenë funksionar në administratë, ka qenë marrëdhënie korrekte, si me të gjithë punonjësit e tjerë. Në administratë është e detyrueshme të kesh kontakte, por këto kontakte nuk shndërrohen as në marrëdhënie personale, as shoqërore, aq më shumë penale. I takon akuzës të hetojë në mënyrë të plotë, duke analizuar të gjitha provat dhe dokumentet, më pas të dalë në përfundime”, u shpreh Mirlinda Karçanaj në Top Story.

Biznesmenit Agasi iu sekuestruan një numër i madh pasurish si troje, disa vila në periferi të Tiranës dhe në bregdet, njësi, apartamente, garazhe, llogari bankare në vlerë miliona euro.

Në të njëjtën linjë, u sekuestruan edhe disa prona të biznesmenit Ermal Beqiri. Nga kompanitë e biznesit që kanë qarkulluar paratë e fituara nga AKSHI, te trojet, njësitë e biznesit, mjetet lundruese etj., pasuri që shkojnë në miliona euro. Sipas SPAK, Beqiri është konsideruar si njeriu kyç i skemës, i cili u shndërrua në personin numër 1 për fitimin e tenderave.

“Beqiri, nëpërmjet shoqërive në pronësi të tij apo shoqërive të tjera satelite, në të cilat ka interesa të caktuara, kanë përfituar fonde publike nga prokurimet e zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor AKSHI, në procedura prokurimi ku fituesit dhe çdo gjë ka qenë e paracaktuar”.

“Sekuestrimi është një masë e përkohshme që lidhet drejtpërsëdrejti me krijimin e produkteve të veprës penale. Këto vepra penale bëhen për të përfituar drejtpërsëdrejti të ardhura ekonomike dhe sigurisht që sekuestrimi dhe më pas konfiskimi është tepër i rëndësishëm”, u shpreh Arber Hoxha, avokat.

Ish-drejtoreshës së AKSHI-t iu sekuestruan 2 apartamente në zonat e preferuara të Tiranës, një banesë në Qerret, tokë me ullishte në periferi të Tiranës, një automjet si dhe disa llogari bankare. Mes pasurive binte në sy një apartament 200 metra katrorë pranë stadiumit ‘Arena Kombëtare’, në një pallat luksoz. Zyrtarisht, prona është blerë nga kompania ‘Fortis Beton Co’, për 37 milionë lekë dhe është rivlerësuar duke e çuar në 48,5 milionë lekë ose rreth 500 mijë euro. Por, në të vërtetë, një pronë me hapësirë të tillë në zonë kushton minimalisht 700 mijë euro. Në atë apartament, Karçanaj ka banuar prej fundit të vitit 2024 përmes një kontrate qiraje, në vlerë 600 euro, sërish e konsideruar anomalisht e ulët nga prokuroria. Sipas hetuesve, kontratat janë fiktive pasi zotëruesja reale është Karçanaj, e cila ka jetuar aty para se të nënshkruhej kontrata e qirasë.

Vlen të theksohet natyra prapavepruese e efekteve të kontratës së qirasë, e cila edhe pse është nënshkruar në muajin shkurt, përcakton fillimin e efekteve që nga data 6 janar 2025. Ky nxitim për të mbuluar periudhën e qëndrimit në banesë, i lidhur me faktin se prona është blerë nga një shoqëri tregtare, ortakët e së cilës mund të kenë interesa të lidhura me funksionin e të hetuarës, përforcon dyshimin se shoqëria “Fortis Beton CO” ka shërbyer si mjet për transferimin e një dobie pasurore tek e hetuara Mirlinda Karçanaj.

“Nuk ka lidhje me pronësinë time, e kam pasur një apartament me qira të zgjedhur pranë punës, AKSHI-t. Unë nuk drejtoj makinë, nuk kam makinë. Nuk zgjodha të shes pronën e mamasë, por zgjodha atë apartament me qira. Për emergjencat e punës, unë kam zgjedhur që për 5 minuta të isha në AKSHI. Është me kontratë tek noteri, çdo pagesë qiraje është bërë në bankë”, u shpreh Mirlinda Karçanaj në Top Story.

Dokumenti i sekuestros nxjerr zbuluar në skemë atë që është denoncuar në investigimin e mëhershëm të Inside Story, ish-numrin 2 të AKSHI-t, Daniel Shima. Ai zbulohet si personi kyç për një transaksion që lidhet me një apartament në Rrugën e Kavajës, sërish i sekuestruar Mirlinda Karçanajt.

“Nga analizimi i dokumentacionit të cituar më sipër, dokumentohet se më datë 7 mars të vitit 2017, shtetasi Rafael Bistri ka marrë hua shumën prej 80.000 euro nga Erisa Malenllari dhe Andis Papa, dhe më datë 8 mars 2017, ka nënshkruar kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme, pronë të cilën rezulton se ky shtetas ia ka shitur rreth 1 vit më vonë shtetases Enxhi Shima (e motra e shtetasit Daniel Shima). Më tej, nga analiza kronologjike e veprimeve të kryera mbi këtë pronë, rezulton se shtetasja Enxhi Shima ka lidhur kontratë shitjeje me palë blerëse Gjenovefa Ilia Karçanaj.”

Top Channel