“Rama përjashtoi opozitën”/ Partia Demokratike: Gati tre nisma ligjore për integrimin, Shqipërisë iu shtuan kushtet

26/05/2026 19:10

Para se Edi Rama të zbriste në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE, Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin për përjashtim te opozitës nga procesi i negociatave.

“Edi Rama e përjashton opozitën dhe qytetarët nga tryeza e negociatave, sepse kërkon të fshehë të vetmen të vërtetë sot: se Shqipëria po hyn në fazën më të rëndësishme të procesit me më shumë kushte dhe me më shumë mosbesim. As fotografitë dhe as shampanja e propagandës nuk e fshehin dot të vërtetën se vetëm për Grupkapitullin “Themeloret”, grupi me të cilin hapen negociatat dhe nga i cili varet e gjithë mbyllja e negociatave, Bashkimi Europian i vendosi Shqipërisë në raportin e pak ditëve më parë 34 kushte”, u shpreh Bardhi.

Për të treguar që opozita është pro Integrimit, Gazment Bardhi njoftoi se në emër të Grupit demokrat do depozitojë në Kuvend tri nisma ligjore për të përshpejtuar procesin.

“Së pari, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Së dyti, dekriminalizimin e plotë të shpifjes ndaj gazetarëve. Së treti, kriminalizimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë në Kodin Penal. Kjo është një nga kërkesat më të drejtpërdrejta të Bashkimit Europian në këtë fazë të negociatave“, tha ai.

Gazment Bardhi deklaroi se pa larguar Edi Ramën, Shqipëria do e ketë pamundur të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Top Channel