Këtë të hënë janë mbledhur sërish për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Vleiaj, gjyqtarët e Kushtetueses.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, duke iu referuar burimeve jo zyrtare, mëson se ata po diskutojnë për shpalljen e vendimit.
Kryebashkiaku Veliaj aktualisht po përballet me drejtësinë në Gjykatën Antikorrupsion si një i akuzuar i SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, dyshime për të cilat nga shkurti 2025 ai mbahet i paraburgosur.
Mbas kërkesës së 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, dosja me 30 të akuzuar është ndarë në dy pjesë.
Njëra prej tyre, ku është ish-deputetja Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë. Në tjetrën, që është me gjykim të zakonshëm, në të cilën është edhe Veliaj, do të ketë sërish seancë të parë që hapet nga fillimi në datën 26 maj.
Avokatët e Veliajt kanë kërkuar njëlloj si në gjykimin administrativ që edhe çështja penale të transmetohet drejtpërdrejt, ndërsa insistojnë përballjen me gjykatën jo në kafazin e qelqtë, por në sallë.
Sakaq, kërkesa e tij e fundit e datës 6 maj u regjistrua menjëherë mbasi kolegjet e bashkuara u shprehën me vendim për qasjen që duhet të mbajë gjyqësori në raport me masat e sigurimit personal, ku sipas gjykatës arresti në burg duhet të jetë mundësia e fundit dhe duhet të argumentohet edhe nga prokuroria dhe gjyqtarët rrezikshmëria duke u bazuar në personalitetin e të dyshuarit.
Gjykata e Lartë orientoi se drejtësia duhet të aplikojë masat e tjera dhe se barra e provës për akuzat i takon prokurorisë.
Top Channel